Futboll

Nga tavolina në fushë, mbyllen shpejt pushimet për skuadrat e Superiores

Gazeta Si – Shtimi në peshë nga tavolinat e rënduara për festat e fundvitit këtë herë nuk është një problem për futbollistët e Superiores. Ata nuk kanë pasur kohë të shtojnë peshë, sepse nga ‘tavolina’ kanë kaluar direkt në fushë.

Pushimet për festën e ndërrimit të viteve kanë qenë shumë të shkurtra, sepse aktiviteti është parashikuar të fillojë shumë shpejt në 2024-ën. Që më 12 janar fillon faza e tretë e kampionatit, luhet derbi mes Dinamos dhe Tiranës, kurse një ditë më pas ndeshjet e tjera. Këto data i kanë detyruar klubet e elitës që të fillojnë stërvitjen që më 2 janar.

Vllaznia, nje nga skuadrat e para qe zbret ne stervitje per kete vit. Gazeta Si, 2 janar 2024

Vllaznia, Egnatia e ndonjë skuadër tjetër ka vendosur këtë datë për rikthimin në fushë, të tjerat kanë qenë pak më tolerante, duke lënë edhe një ditë më shumë pushim. Gjithsesi, kjo mesjavë do t’i gjejë të gjithë në fushën e stërvitjes, nuk ka kohë për të humbur.

Një pjesë e mirë e skuadrave të Superiores vazhdoi stërvitjen deri më 30 dhjetor, kështu që ditët e pushimit i bie të kenë qenë 3 ose 4. Pak për të pasur pobleme me peshën. Pushimet e shkurtra kanë edhe të mirën e tyre në këtë rast.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë