Gazeta Si – Ka një ndryshim të situatës në lidhje me të ardhmen e Karlo Ançelotit. Trajneri italian tani është më afër rinovimit me Real Madridin se kalimit te Brazili. Sipas ‘As’, pavarësisht sforcove të Federatës Braziliane të Futbollit, nuk ka një akord të saj me Ançelotin, sikurse është pretenduar në Brazil.
Trajneri italian sigurisht që mund të jetë joshur nga propozimi i 5 herë kampionëve të botës, por ka bërë të qartë se përparësi ka Realin dhe se nëse i ofrohet rinovimi, do të vazhdojë aty edhe sezonin e ardhshëm. Rreth një muaj e gjysmë më parë Ançeloti ka pohuar gjithashtu se do të priste Real Madridin deri në minutën e fundit.

Trajneri ndihet mirë në Madrid dhe ia ka bërë të qartë familjes së tij se do të firmoste pa hetizim për rinovimin me Realin, sipas asaj që shkruan e përditshmja spanjolle.
Në ndryshimin e situatës në fakt duket se mund të ketë ndikuar edhe kaosi aktual te Brazili, i kërcënuar nga FIFA për zgjedhje të ndershme dhe pa ndërhyrje politike, sepse në të kundërt mund të pezullohet nga aktivitetet ndërkombëtare.
“Nëse babai do të ishte gjallë, do të trishtohej shumë për këtë Brazil”, – ka thënë së fundi djali i legjendës Pele. Mjafton për të kuptuar se në çfarë gjendje është aktualisht kombëtarja më fituese në botën e futbollit. Ai i referohet anës sportive, pasi Brazili nuk po ecën mirë në eliminatore, por edhe asaj organizative, ku presidenti i federates u shkarkua nga gjykata pak kohë më parë për mashtrim në zgjedhje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




