Futboll

Broja humb kreditet edhe te trajneri Poçetino, largimi nga Çelsi gjithmonë e më pranë

Gazeta Si – Pas dy ndeshjesh si titullar, Armando Broja ishte në stol mbrëmjen e së mërkurës, kur Çelsi mundi 2-1 Kristal Pallasin. Ai u aktivizua 20 minutat e fundit, kur rezultati ishte 1-1. Në një rast iu afrua edhe goli, por nuk gjeti kuadratin.

Trajneri Mauricio Poçetino, i cili e ka mbështetur gjithmonë Brojën dhe për hir të së vërtetës ia ka dhënë shanset sulmuesit kuqezi, këtë herë preferoi Xhekson titullar. Një vendim që do të thotë se edhe trajneri argjentinas nuk ka më besimin e mëparshëm te futbollisti i Kombëtares shqiptare. Kreditet e Brojës duket se janë ulur edhe në sytë e tij.

Në këtë situatë rriten edhe më shumë mundësitë për shitjen e Brojës në merkaton e dimrit. Klubi londinez ka bërë të ditur se do të ndërhyjë në merkato për blerje, por logjikisht do të shpenzojë shumën që do të grumbullojë nga shitjet. Për Brojën ka pasur gjithmonë interes, ai mund t’i sjellë Çelsit rreth 40 milionë euro.

Klubi anglez do të studiojë gjithë ofertat dhe do të marrë një vendim përfundimtar për sulmuesin shqiptar, por është e qartë se në këtë moment emri i tij fuguron në listën e shitjeve. Problemi i vetëm mund të jetë se forma aktuale e Brojës mund të ndikojë në uljen e çmimit të tij. Fakt është që pas rikthimit nga dëmtimi lojtari e ka të vështirë ta gjejë vetën me fanellën blu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë