Futboll

Mourinjo jep ‘ok’-in, Bonuçi arrin akordin me Romën dhe synon Europianin

Gazeta Si – Mbrojtësi ekspert do të firmosë me klubin kryeqytetas deri në fund të sezonit. Ambiciet e tij janë për të qenë në Europianin e Gjermanisë me Italinë, në grup me Shqipërinë.

Leonardo Bonuçi është gati të zbarkojë në Romë. Tifozët janë të ndarë, kurse Mourinjo jo. Trajneri portugez ka dhënë miratimin për afrimin e lojtarit. Bonuçi ka dashur të kthehet patjetër në Itali, pas eksperiencës me Union Berlinin.

Futbollisti 36-vjeçar, që ka dëshirën dhe shpresën për të zënë një vend në kombëtare për Euro 2024, do të firmosë deri në fund të këtij sezoni me një pagë, që nuk i kalon 2.5 milionë euro, sipas shtypit. Tiago Pinto nuk do të paguajë asgjë për kartonin, është një operacion me kosto zero, çka i jep një dorë Romës në anën ekonomike.

Mourinjo, që kërkonte një mbrojtës qendre edhe për të ardhmen, duhet të kënaqet me Bonuçin, që gjithsesi ofron eksperiencë dhe mbush boshllëkun e krijuar nga mungesa e gjatë e Smolling dhe Kumbullës për shkak dëmtimi. Pa harruar Ndicka, që në janar do të shkojë në Kupën e Afrikës.

Bonuçi, me origjinë nga Viterbo, afrohet kështu me shtëpinë, duke lënë Berlinin. Aventura me Unionin, që filloi për të pasur minutazh në Champions, rezultoi një gjysmë dështim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë