Vetëm një herë ka ndodhur më parë në historinë e rivalitetit të dy ndër klubeve më të famshme dhe më të suksesshme të futbollit tonë, Tirana dhe Partizani, që trajnerët e tyre të kalojnë nga njëra skuadër te tjetra në mënyrë direkte.
Ditën e martë Partizani zyrtarizoi Orges Shehin në pankinën e kuqe për vazhdimin e këtij sezoni, duke bërë realitet një dëshirë që e ka ndjekur prej kohësh, madje që nga viti e shkuar dhe më pas në merkaton e kësaj vere, kur kontrata e Shehit përfundoi.

Me shkarkimin e tij pas javës së 6-të të kampionatit gjërat u bënë më të prekshme dhe më të realizueshme për klubin e kuq, edhe pse Tirana u mundua ta mbajë “peng” trajnerin edhe pas shkarkimit, duke përdorur termin e ri, atë të pezullimit dhe jo të shkarkimit, ashtu siç e parashikonte kontrata.
Megjithatë, ky pezullim zgjati vetëm 2 muaj dhe për fat të keq, pas 1071 ditësh të suksseshme në krye të pankinës bardheblu, Tirana dhe Orges Shehi u ndanë me gjyq. Klubi bardheblu i detyrohet trajnerit 30 milionë lekë për prishje të njëanshme të kontratës.
Si për ironi të fatit, 5 ditë më vonë trajnerit të Partizanit, Zoran Zekiç, i erdhi një ofertë për të shkuar tek Osijeku. Këtë ofertë ai nuk mundte ta refuzonte, nga ana tjetër klubi i Partizanit për ta lënë të lirë përfitoi 100000 euro. Një lëvizje përfituese financiare dhe nga ana tjetër i hapi rrugë marrjes së trajnerit durrsak, Orges Shehi. Partizani deri në përfundimin e gjyqit Tirana-Shehi u drejtua nga drejtori sportive, Arbër Abilaliaj.
Kalimi nga Tirana te Partizani, apo anasjelltas, gjithmonë është një manovër që shoqërohet me shumë zhurmë, kjo edhe për shkak të historikut të përballjeve dhe rivalitetit të dy klubeve. Dhe një shkëmbim në mes të sezonit dhe në fund të vitit kalendarik është një “déjà vu”.
Edicioni 2003/2004, java të e 7-të e kampionatit. Tirana asokohe drejtohej nga Sulejman Mema. Ishte 8 tetori i vitit 2003, kur humbja 1-3 ndaj Teutës bën që drejtuesit e Tiranës ta shkarkojnë Memën për ta zëvendësuar me Mirel Josën.

12 dhjetor 2003. Partizani mundet në derbi nga Tirana me shifrat 1-0 dhe drejtuesit e kuq vendosin të largojnë Ilir Spahiun. Për pak kohë u munduan që skuadrën ta mbante dyshja Genc Tomorri-Ilir Shulku dhe më pa u emërua menjëherë Sulejman Memën, jo vetëm një ish-lojtar dhe trajner bardheblu, por një nga emrat e mëdhej të historisë së skuadrës së Tiranës.
Edicioni i asaj kohe u mbyll me Tiranën kampione dhe Partizanin në vendin e katërt në kampionat, por fitues i Kupës dhe Superkupës nën drejtimin e Sulejman Memës.
Këtë sezon situatat janë thuajse identike me Partizanin, i cili është në garë për titullin kampion, pasi ndodhet në vendin e dytë dhe Tirana që është në vendin e tretë, gjithashtu me të njëjtin objektiv, si gjithmonë.
Duket një lëvizje interesante ky “vals” trajnerësh, i cili me shumë gjasë do të përballë Tiranën dhe Partizanin në garat e fundit për titullin kampion, pasi me paraqitjen që kanë treguar deri më tani duket se këto dy skuadra kanë mundësi shumë të mira për ta mbyllur sezonin e rregullt me 36 javë në një prej katër vendeve të para, që do të zhvillojnë më pas “Final Four”.
Një tjetër pjesë interesante e kësaj lëvizje është reagimi i tifozëve, të cilët shpesh e ndezin atmosferën kur përballen këto dy ekipe dhe padyshim që Shehi ka qenë një nga trajnerët e preferuar të tifozëve të Tiranës. Me këtë lëvizje ata ndihen të tradhëtuar dhe ashtu si ndodhi me Sulejman Memën rreth 20 vite më pare, padyshim që do të priten edhe surpriza për trajnerin durrsak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




