Natën e 14 Dhjetorit u përhap me shpejtësi lajmi i pazakontë se SPAK-u po mbante prej orësh të izoluar gazetarin e kronikës Elton Qyno. Videot, raportimet dhe qendrimet e mëvonshme sqaruan situatën e paprecedentë me një gazetar. Elton Qyno kishte botuar rrëfimet e një vrasësi të penduar, Nuredin Dumani, që implikonte ngjarje dhe persona për të cilat SPAK-u nuk kishte hetuar. Ajo që revoltoi gazetarët ishte se, SPAK-u i kërkoi gazetarit Elton Qyno të tregojë burimin në një odise, e cila nisi paradite dhe përfundoi në mbrëmje. Siç e tregon Eltoni në një intervistë për Gazetën Si, këmbëngulja e prokurorëve të SPAK-ut për të sekuestruar çdo gjë të gazetarit, edhe çelësat e makinës, me dhe pa urdhër gjykate, tregon se diçka e madhe i ka dalë nga skema Prokurorisë së Posaçme. Sipas gazetarit me përvojë të kronikës Elton Qyno, ngjarja tregoi se më Shqipëri janë ngritur struktura drejtësie që nuk zbatojnë ligjin dhe nuk i shërbejnë interesit publik.
Gazeta Si: Elton, ti po ndjek rrugën ligjore për të marrë mbrapsht nga SPAK, sendet e tua personale, në këtë rast mjetet e tua të punës, telefonët. A do të ngresh padi ndaj SPAK për mënyrën që ndoqi në sekuestrimin e telefonave të tu?
Elton Qyno: Unë dhe dy avokatët e mi, fillimisht kemi vendosur të kundërshtojmë 3 vendimet e gjykatës që lejuan kontrollin tim fizik, të banesës dhe ambjenteve të punës, por jo të automjetit të familjes. Automjeti tip “Golf 5, të cilin unë e përdor për të çuar fëmijët në shkollë dhe nevoja familjare është kontrolluar dhe janë sekuestruar sende, pa vendim gjykate. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me dy aparatet e telefonit, të cilët janë sekuestruar në mesnatën e datës 14 dhjetor 2023, pa qënë unë prezent dhe pa u njohur qoftë dhe me një procesverbal bllokimi. Nuk e kuptoj se si një hetim për nxjerrje sekreti fillon në SPAK në datën 12 dhjetor 2023, unë thirrem në 13 dhjetor dhe të gjitha veprimet kundrejt meje kryhen brenda një kohe kaq të shkurtër. Fillimisht duhet të pyeteshin njëherë prokurorët e çështjes, oficerët, administrata pastaj unë mund tëisha hallka e fundit. Këta e nisën nga fundi, duke u sjellë në atë mënyrë që e patë të gjithë ju. SPAK më sekuestroi edhe çelësin e makinës sime, a thua se çelësi kishte burimin e informacionit.
Gazeta Si: Ditën e thirrjes tënde në SPAK pati revoltë në rrjetet sociale nga shumë gazetarë, disa e quajtën edhe pengmarrje qendrimin e zgjatur në SPAK. Mund të bën një rrëfim për çfarë të thirrën dhe pse të mbajtën aq gjatë?
Elton Qyno: Reagimet dhe komentet i kam ndjekur një ditë më pas, për shkak se kam qënë pa telefona dhe pa një tv përpara. Revoltën e konsiderova të drejtë, pasi ky ishte një akt i paprecedentë që ka ndodhur në Shqipëri për kontroll dhe sekuestrim të çdo sendi të mundshëm që gjenin para. Unë kam hyrë në SPAK rreth orës 11:00 dhe motivacioni i thirjes me telefon nga oficeri i BKH-së Sajmir Cuka, ka qënë të njihesha me një urdhër për ndalimin e informacionit. Kam shkuar atje një orë pas komunikimit. Sapo jam përballur me oficerët e BKH-së, jam vënë në dijeni se duhet të jepja një deklarim, pasi kryesisht prokuroria kishte nisur një hetim për nxjerje sekreti. Më erdhi habi se për tjetër gjë u thirra dhe tjetër gjë më kërkuan. Megjithatë nuk i refuzova, pasi më thanë se unë nuk isha objekt i këtij hetimi, por ata donin të gjenin njeriun nga brenda SPAK që rrjedh informacion. Kam dhënë shpjegimet e mia gati 2 faqe e gjysëm dhe gjatë marjes në pyetje m’u kërkua të deklaroja burimin e informacionit, në mënyrë që sipas hetuesve duhet ta dinin dhe ata pasi siç shpreheshin “…ishte çështje jete, çështje koke, ishte çështja që edhe ata të ruheshin se mos dikush nga brenda SPAK po i nxjerr në pritë nesër apo pasnesër…”. Unë i garantova se nga ana ime askush nuk del në pritë dhe askush nuk cënohet. Por, sërish, ata vijuan me të tyren, kërkonin burimin. Përfundimisht nuk pranova. Më pas oficerët me njohën dhe me vendimin për ndalimin e publikimit të materialeve të tjera, të cilat nuk janë të sigluara as sekret, as top sekret. Megjithatë unë do t’i përmbahem këtij urdhëri. Por teksa mendova se kisha përfunduar me seancën dhe duhet të dilja për të shkuar në punë, njëri nga oficerët, Sajmiri, mer një telefonatë duke marrë urdhër të më sekuestrojnë telefonat. Më është komunikuar ky urdhër nga oficeri. E kam refuzuar në mënyrë kategorike, pasi unë nuk isha subjekt i veprës penale dhe as kam detyrimin të dorëzoj telefonat, pasi kam një status të veçantë, atë të gazetarit. Në këtë moment i kam përshëndetur dhe kam hapur derën duke dalë jashtë për t’u larguar. Por me rifutën sërish në zyrë, duke u mbajtur mbyllur me çelës. Ata kërkonin telefonat e mi, të cilit unë i kisha lënë jashtë në ruajtje diku tjetër. Pasi e di shumë mirë që në SPAK nuk lejohet të hysh me telefona. Në shumë raste, edhe në konferenca pune, kur kemi hyrë në SPAK, na është dhënë urdhri që telefonat nuk lejohen dhe i kemi lënë jashtë.
Gazeta Si: SPAK i gjeti telefonët e tu, që ju i kishit lënë në lokalin përballë SPAK. Ke kuptuar si ra prokuroria në gjurmët e telefonëve, pasi ti refuzove t’i dorëzosh? Të ndoqi, me përgjim, si?
Elton Qyno: Realisht unë kam këmbëngulur që të mos dorëzoja telefonat, pasi aty është gjithë puna ime, me burimet dhe çdo gjë tjetër. Nëse një gazetari i kërkon telefonat dhe kompjuterat, atëherë më mirë shkarkoje nga puna se sa t’ia marrësh mjetet. Dy aparatet janë gjetur pas mesnatës së 14 dhjetorit, dhe për sekuestrimin e tyre SPAK përdori të gjitha truket dhe pajisjet detektuese. Ndiej një keqardhje që prokurorët e SPAK hapën një praktikë shumë të rrezikshme, pikërisht me mua, që për 18 vite me rradhë, kam ndjekur çdo ditë punën e tyre dinamike. Deri më sot telefonat e mi dhe shumë sende të tjera të punës, familjare dhe të fëmijëve, janë në SPAK. Të gjitha burimet e mia janë të ekspozuara. Sekuestrimi i telefonave është bërë pa prezencën time dhe as jam njohur me një dokument konkret. Çdo gjë antiligjore dhe në shkelje të plotë të konventave të informacionit.
Gazeta Si: Pse janë kaq të rëndësishëm për SPAK telefonat e tu? Çfarë kishe nisur të zbuloje ti, që SPAK nuk donte?
Elton Qyno: Përmes telefonave të mi, SPAK kërkon të gjejë komunikimet e mia me të gjitha kontaktet. Unë kisha zbuluar dhe publikuar pjesërisht biseda të kryera në aplikacionet SKY dhe Encrochat, që flasin për ngjarje kriminale ende të pahetuara nga SPAK.
Gazeta Si: Ke patur komunikim me kreun e SPAK-ut, që kur u more në pyetje? Nëse po çfarë keni biseduar?
Elton Qyno: Sigurisht që kam patur. Unë Altin Dumanin e njoh prej periudhës së vitit 2006. Ditën që unë jam mbajtur mbyllur në SPAK, kam kërkuar takim me zotin Dumani, por më ka njoftuar se ndodhej në Itali. Edhe në këtë komunikim ai këmbëngulte se unë duhet të dorëzoja patjetër telefonat, duke më dhënë garanci se asgjë nuk do dilte prej andej. Megjithatë tashmë unë s’kam besim.
Gazeta Si: Në dijeninë tënde, a përfshihen politikanë në materialet që ti ke?
Elton Qyno: Në materialet që disponoja në mënyrë direkte jo, por indirekte po.
Gazeta Si: Kam degjuar reagime të gazetarëve që kanë nisur të stepen, që pas ngjarjes tënde. Ti vetë i je trembur, i frikësuar, i tërhequr për të mos bërë punën siç e bëje më parë?
Elton Qyno: Në Shqipëri kanë mbetur shumë pak gazetarë të mirëfilltë kronike. Këta gazetarë sigurisht që kanë dokumenta të ndryshme sensitive, që i sigurojnë nga burime dhe rryma të ndryshme të informacionit brenda administratës dhe jashtë saj. Kemi mbetur shumë pak, pasi kolegët tonë u larguan nga Shqipëria. Flamur Vezaj iku në Amerikë, dikush tjetër si Gerti Xhaja fitoi azilin në Suedi dhe shumë të tjerë ikën duke aplikuar formatin e azilantit. Pas kësaj që më ndodhi mua, të gjithë gazetarët profesionistë të kronikës, kanë ndier frikë, pasi ky precedent mund të ndodhë nësër në banesat dhe vendet e tyre të punës. Edhe unë sigurisht e ndiej frikën, pasi i gjithë rrjeti i informacionit tim sot është në dorë të SPAK.
Gazeta Si: Pas urdhrit të SPAK për kontroll të gjithanshëm të gjithçkaje të përket ty, beson se drejtësia funksionon siç duhet?
Elton Qyno: Drejtësia është një fjalë e gjerë, që ka të gjitha dimesionet. Sistemi i Drejtësisë në Shqipëri nuk është më siç ka qënë dhe parësorja nis me shkeljen e të drejtave të njeriut, nivelin e ulët të besimit të publikut, nivelin e ulët të provave dhe nivelin e lartë të kunjukturave politike e patronazhiste që kanë depërtuar në Drejtësi. Shumë gjëra bëhen keq dhe pa profesionalizëm. Askush nuk pyet për ligjin dhe as se çfarë je apo çfarë përfaqëson. Kur shikon që këtë panoramë e bëjnë njerëz pa eksperiencë, atëherë vërtet është frikshme. Unë do të vijoj të kundërshtoj vendimet e gjykatës, njëkohësisht si kolegët e mi dhe kolegët jashtë Shqipërisë që reaguan, i bëj thirrje prokurorëve të SPAK të më kthejnë urgjentisht të gjitha sendet e sekuestruara, pasi janë sende të një gazetari, sendet e dy fëmijëve të mi, sende që i përkasin familjes time.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



