Gazeta Si – Histori, ambicie, mentalitet, zakoni i të luftuarit për fitore, garancia ekonomike dhe një grup lojtarësh që duhet përmirësuar: Milani ka gjithçka që kërkon Antonio Konte për skuadrën e tij të re.
Ndeshjet para Krishtlindjeve certifikuan atë që ishte kuptuar prej kohësh. Gara e titullit në Serinë A do të jetë vetëm mes dy skuadrave, Interit dhe Juventusit, që fituan ndeshjet e tyre. Milani ngeci sërish, këtë herë në fushën e Salernitanës.

Një situatë shumë e vështirë për trajnerin Stefano Pioli, nën akuzë për rezultatet. Klubi ka diskutuar shumë për pozicionin e tij. Barazimi në Salerno e ka çuar në -11 pikë nga Interi skuadrën kuqezi, që ka dalë nga Champions dhe ka shumë ulje-ngritje këtë sezon.
Për momentin trajnerin e shpëtojnë dëmtimet e shumta dhe mungesa e alternativave. Kardinale dhe drejtuesit e tjerë janë të bindur se kanë vepruar mirë në merkato dhe i kanë besuar Piolit një Milan superior jo vetëm nga ai i vitit të kaluar, por edhe nga ai që fitoi titullin. Në fund gjithsesi u vendos që të konfirmohet trajneri.
Vullneti i Milanit është për ta mbyllur sezonin me Piolin, duke synuar minimalisht kualifikimin në Champions. Skuadra është ende me trajnerin, por rezultatet janë vendimtare. Nëse do të ketë rrëshqitje të tjera, ndryshimi do të ishte i nevojshëm dhe në sfond ka filluar të shfaqet hija e Antonio Kontes.
Kur flitet për një trajner të madh për klubet, emri i tij del gjithmonë. Nuk ka kontakte mes palëve, por Milani duket se ka gjithçka që duhet për të pasur Konten në stol sezonin e ardhshëm.
Periudha sabatike i ka shërbyer dhe tani Konte është gati të rifillojë punën, madje sa më shpejt, nëse janë kushtet e duhura. Milani nuk mund t’ia lejojë vetes një trajner të përkohshëm të një profili të ulët, prandaj dhe beson ende te Pioli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




