Gazeta Si – Një problem muskulor në këmbën e majtë e detyron sulmuesin argjentinas të ndalet te 89 ndeshje radhazi. Vizitat e detajuara do të saktësojnë kohën e rikuperimit, por e sigurt është se kapiteni ka humbur Leçen.
Lautaro Martinez nuk shkon 90. Pas 89 ndeshjesh radhazi, kapiteni i Interit do të mungojë në fundjavë ndaj Leçes dhe ndoshta edhe ndaj Xhenoas. Dëmtimi i pësuar ndaj Bolonjës në Kupën e Italisë e detyron të pushojë. Sulmuesi ka filluar terapinë dhe frika e stafit të Interit është se nuk bëhet fjalë thjesht për lodhje. Nëse rezulton kështu, atëherë 2023-shi mund të ketë përfunduar për të.

Mundësia më e madhe është që Lautaro Martinez të jetë i gatshëm për trajnerin Simone Inzagi më 6 janar, ndaj Veronës.
Interi është mësuar të luajë me argjentinasin që mban edhe shiritin e kapitenit. Sezonin e kaluar, që u ndërpre edhe nga Botërori, sulmuesi i luajti të 57 ndeshjet e Interit. Këtë sezon ka luajtur po ashtu te të gjitha deri tani, 23 ndeshje. Edhe kur e ka niur nga stoli, ai gjithmonë është aktivizuar.
Ndeshja e fundit që Lautaro ka humbur është ajo e 4 prillit 2021, transferta me Romën. Trajneri Inzagi duhet të vendosë për zëvendësuesin e tij ndaj Leçes së Ylber Ramadanit. Me shumë mundësi, nga minuta e parë do të luajë dyshja Turam-Arnautoviç. Është ndoshta shansi i duhur për Arnautoviç që të harrojë paraqitjen e dobët ndaj Bolonjës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




