Futboll

Kurtua dorëzohet për Euro 2024: Me dëmtimin tim nuk mund të jem në Gjermani

Gazeta Si – Europiani Gjermani 2024 ngjall më shumë interes për vetë faktin se aty merr pjesë edhe Shqipëria. Duhen ende disa muaj deri në këtë event, të cilin disa prej emrave shumë të njohur të futbollit botëror e kanë humbur që tani. Spanja, për shembull, në grup me kuqezinjtë, ka humbur Gavin për shkak dëmtimi.

Për të njëjtën arsye do të mungojë në Europian edhe një nga portierët më të mirë në botë, Tibo Kurtua. Belgu duket se është dorëzuar dhe ka pranuar mungesën e tij në Euro 2024. Ai ka këputur ligamentin e gjurit të majtë dhe e ka të pamundur të rikuperohet deri në qershor.

“Nuk ka Euro 2024 për mua”, – ka thënë Kurtua. “Me dëmtimin që kam, nuk mund të marr pjesë në Europian, çfarëdo që të ndodhë. Më parë duhet të rikuperohem 100% dhe është më mirë të mos fiksoj asnjë datë. Nëse do të jem me fat, do të luaj në maj, por nuk do të jem kurrë 100% gati për një turne madhor”, – ka shtuar portieri belg.

“Për mua është më mirë të jem i qartë që në fillim dhe ta njoftoj kombëtaren. Nuk dua të jem me 80% në portë, kur kemi portierë të tjerë shumë të mirë. Në qershor do të jem thjesht një tifoz i Belgjikës dhe shpresoj të fitojmë titullin”, – ka theksuar më tej Kurtua.

Për polemikat e brendshme te Belgjika pas Botërorit të fundit, portieri u shpreh: “Edhe këtu dua të jem i qartë: nuk ka të bëjë mungesa ime me shiritin e kapitenit. Shumë kanë folur për të pasur vëmendje, pak njerëz ishin të interesuar për versionin tim mbi faktet. Ata që donin versionin tim, më kanë pyetur direkt. Si Lukaku. Është nga të paktët që ka folur në mënyrë korrekte me shtypin për këtë çështje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë