Në mbrëmjen e djeshme gala të futbollit shqiptar, ku u ndanë çmimet e më të mirëve të vitit 2023, ka pasur një sërë personazhesh të huaj që kanë kontribuar në futbollin tonë ndër vite. Nuk mund të mungonte ish-trajneri Xhani de Biazi, i cili kualifikoi për herë të parë kuqezinjtë në finalet e një Europiani, në ‘Euro 2016’ në Francë.
Sot trajneri italian është në kërkim ende të një stoli, ashtu si në të njëjtën sallë dhe më pas në të njëjtën darkë, në Pallatin e Brigadave, ishte edhe një president që është në kërkim të një trajneri. Bëhet fjalë për Agim Ademin, presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili prej kohësh është në kërkim të një ‘timonieri’ për pankinën e ‘Dardanëve’.

Emri i De Biazit u lakua edhe më parë nga mediat si një opsion për të drejtuar pankinën e përfaqësueses së Kosovës, por deri dje ishte thjesht në kuadrin e një bisede mediatike e sinjalesh të largëta. Gazeta Si mëson ekskluzivisht një nga prapaskenat e asaj mbërmjeje, ku nuk munguan edhe tratativat dhe lobimet që shpesh ndodhin për lëvizje të tilla, kur bëhet fjalë për poste si ky.
Ishte kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili në një bisedë me ish-trajnerin dhe mikun e tij, ashtu si edhe të shumë shqiptarëve, Xhani De Biazi, u përfol pikërisht ky diskutim, që lidhet me të ardhmen e trajnerit Italian. Ai ka shprehur dëshirën e tij për të qenë pjesë sërish e drejtimit të një tjetër përfaqësueseje shqiptare, që si përmendi në atë mbrëmje: “Kosova ka një super skuadër, me shumë djem të talentuar, është e pabesueshme se si nuk kanë pasur sukses…”
Kështu, takimit të De Biazit me kryeministrin Rama iu bashkua edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Por me sa duket tashmë ishte shumë vonë, për të ndërhyrë qoftë edhe një personazh sportdashës, apo edhe shpesh herë lobues edhe në futboll, si kryeministri i Shqipërisë. Ademi, me sa duket, ka arritur një marrëveshje me një trajner gjerman, duke çuar dëm diskutimin dhe dëshirën e De Biazit për të qenë sërish nën drejtimin e Kosovës.
Megjithatë nuk u largua pa një premtim, atë të një vendi në “pole-position”, por në zgjedhjen e radhës së Kovosës, nëse deri atëherë italiani do të jetë pa skuadër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




