Futboll

Rrapaj dhe Doçi fitojnë ‘Topin e Artë 2023’, Egnatia dominon formacionin e vitit

Gazeta Si – Janë zbuluar gjatë mbrëmjes gala të organizuar sot nga FSHF fituesit e çmimeve individuale për çdo kategori në futbollin e meshkujve dhe femrave. Po ashtu, është shpallur edhe formacioni më i mirë.

Çmimin e ‘Topit të Artë’ e kanë fituar Arinaldo Rrapaj te meshkujt dhe Megi Doçi te femrat. Mesfushori i Partizanit fitoi titullin kampion këtë vit dhe ishte ndër titullarët kryesorë të ekipit. Ai fitoi konkurrencën me Bekim Balajn e Vllaznisë dhe Florent Hasanin e Tiranës.

Megi Doçi rivalizonte për trofeun me shoqen e ekipit te Vllaznia Ezmiralda Franja dhe lojtaren e Apolonisë Valentina Troka. Vetëm pak ditë më parë Doçi arriti kuotën e 700 golave të shënuar. Trofeun individual ajo e mori nga duart e ish-kapitenit të Kombëtares, Altin Lala.

Orges Shehi ka fituar për të dytin vit radhazi çmimin e ‘Trajnerit të vitit’, duke fituar konkurrencën me Mirel Josën dhe Edlir Tetovën.

Formacioni më i mirë i vitit 2023 është dominuar nga Egnatia, me 5 lojtarë dhe konkretisht Sherrin, Malotën, Aleksin, Fernandon dhe të ndjerin Duamena. Partizani kampion në fuqi është përfaqësuar me Hadroin, Rrapajn dhe Carën, kurse Tirana me kapitenin Najdovski, Përgjonin dhe Hasanin.

Formacioni i vitit: Alen Sherri (portier), Andi Hadroj (mbrojtës), Renato Malota (mbrojtës), Filip Najdovski (mbrojtës), Florjan Përgjoni (mbrojtës), Arinaldo Rrapaj (mesfushor), Albano Aleksi (mesfushor), Fernando Medeiros (mesfushor), Tedi Cara (sulmues), Rafael Duamena (sulmues), Florent Hasani (sulmues).

Valentina Troka e Apolonisë ka fituar trofeun e ‘Këpucës së Artë’ në fubollin e femrave. Të njëjtin trofe e ka fituar edhe Florent Hasani, sulmuesi që sapo është larguar nga Tirana për në Rumani.

Talenti i vitit u shpall Arlin Kurti i Laçit, kurse talentja e vitit Klaudia Borci e Vllaznisë. Enea Jorgji u shpall arbitri më i mirë i vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë