Gazeta Si – Kjo mesjavë ka dhuruar surpriza në Premier Ligë, duke nisur nga ‘Villa Park’. Mançester Siti nuk njihej në ndeshjen me Aston Vilën, që e mundi 1-0 dhe e parakaloi në renditje. Vendimtar goli i Bailey, që e lë Guardiolën -6 pikë nga Arsenali kryesues.
Mançester Siti duket në krizë totale, pasi në 4 ndeshjet e fundit nuk ka fituar asnjëherë, duke marrë vetëm 3 pikë. Mungesa e Rodrit u ndje shumë dhe Siti vuajti për të prodhuar lojë dhe për të qenë i rrezikshëm. Uani Emeri në anën tjetër ka konfirmuar statusin e skuadrës së madhe për Aston Vilën. Për herë të parë në karrierë Emeri ka mundur Guardiolën.

Armando Broja mund të ishte bërë ‘heroi’ i Çelsit në sfidën e sotme ndaj Mançester Junajtid. Sulmuesi shqiptar goditi shtyllën në minutën e fundit të ndeshjes, që përfundoi me fitoren 2-1 të ‘Djajve të kuq’.
Broja u fut në fushë në minutën e 77-të dhe ishte vërtet pa fat, sepse mund t’i kishte falur barazimin skuadrës së tij. Topi i gjuajtur me kokë prej tij u përplas në shtyllë dhe shkoi jashtë. Për Mançester Junajtid të dy golat u shënuan nga mesfushori Mektominei, ndërsa për Çelsi shënoi Palmer. Bruno Fernandes humbi një penallti që në fillim të ndeshjes.
Liverpuli fitoi 0-2 në fushën e Shefill Junajtid dhe tani mban vendin e dytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




