Futboll

Shqipëria për herë të parë në ‘UEFA Regions’ Cup’, krijohet edhe kombëtarja e futbollit amator

Gazeta Si – Shqipëria do të përfaqësohet tashmë me një ekip kombëtar edhe në futbollin amator. Për herë të parë do të marrë pjesë në ‘UEFA-s Regions’. Shorti i grupeve të këtij kompeticioni do të hidhet të enjten, ndërkohë që Shqipëria merr pjesë në raundin paraeliminator dhe nesër mëson kundërshtarët.

Në aktivitet marrin pjesë ekipet e 36 federatave të UEFA-s, ku 30 ekipe të federatave me koeficient më të lartë në këtë kompeticion shkojnë direkt në raundin e ndërmjetëm. Gjashtë ekipet e tjera, ku bën pjesë dhe Shqipëria, marrin pjesë në raundin paraeliminator.

Ndeshjet e raundit paraeliminator luhen deri më 31 korrik 2024, ato të raundit të ndërmjetëm deri më 6 dhjetor 2024. Fituesit e 8 grupeve të raundit të ndërmjetëm kalojnë në fazën finale të aktivitetit, që zhvillohet në 2025-ën.

Gjashtë skuadrat e raundit paraeliminator ndahen në dy grupe me nga tre ekipe dhe luajnë një miniturne në njërin nga vendet pjesëmarrëse. Fituesit e dy grupeve kalojnë në raundin tjetër. Ekipet e raundin paraeliminator janë Suedia, Gjeorgjia, Azerbajxhani, Estonia, Shqipëria dhe Armenia.

Në raundin e ndërmjetëm marrin pjesë 32 skuadra, 30 që hyjnë direkt dhe 2 fituesit e raundit paraeliminator.

FSHF, duke parë rritjen e futbollit amator vitet e fundit, me rreth 6 mijë lojtarë të regjistruar, vendosi të formojë një kombëtare që të marrë pjesë në këtë turne ndërkombëtar. Pas shortit do nisin menjëherë përgatitjet për skuadrën më të re kombëtare të futbollit, atë të nivelit amator. Ky është edicioni i 13-të i ‘UEFA Regions’ Cup’. Edicionin e fundit e ka fituar Spanja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë