Futboll

Tjetër dramë në futbollin francez, vritet me thikë një tifoz para ndeshjes

Gazeta Si – Një 31-vjeçar është goditur me thikë dhe ka humbur jetën nga plagët e marra. Reagime të forta për ngjarjen, që pason trazirat e kohëve të fundit në futbollin francez.

Drama e radhës në kampionatin francez. Pas ngjarjes së një muaji më parë, kur u sulmua autobusi i Lionit dhe u plagos trajneri Groso, mbrëmjen e së dielës një tifoz i Nantës ka humbur jetë, pasi u godit me thikë para ndeshjes me Nisën. Rrethanat mbetet të qartësohen, por bëhet fjalë sërish për një fakt që lidhet me një ndeshje futbolli, gjithmonë e më i dhunshëm në Francë.

Para ndeshjes, një grup ultrasish të ‘Brigade Loire’, ka sulmuar një furgon me tifozë të Nisës. Elementët e parë të hetimit tregojnë si të dyshuar kryesor një nga shoferët, që për të mbrojtur klientët e tij reagoi duke e goditur tifozin me thikë në shpinë.

Reagimet për ngjarjen ishin të forta. “Është e pakonceptueshme të imagjinosh se mund të vdesësh duke shkuar për të parë një ndeshje futbolli”, – tha trajneri i Nantës, Zhoslin Gurvenek.

Javën e kaluar disa tifozë të Brest u plagosën, pasi autobusi i tyre u sulmua pas ndeshjes me Montpelie. Një muaj më parë trajneri Groso rrezikoi të humbiste njërin sy pas sulmit të ultrasve të Olimpik Marsejës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë