Nga Gazeta ‘SI’ – Shqiptarët janë të frikësuar nga ndryshimet klimatike dhe pasojat e saj, por janë pak të gatshëm të bëjnë ndonjë gjë për ta ndryshuar atë.
Në një anketë të fundit të bërë nga BERZH dhe Banka Botërore me qytetarë nga Europa Jug-Lindore, tregohet se 91% e shqiptarëve janë më së shumti të shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Po aq janë të shqetësuar edhe për mundësinë e përhapjes së ndonjë sëmundje, bashkë me ndryshimet klimatike.
Në tabelën e anketës tregohet se 85% e shqiptarëve të pyetur janë frikë kanë katastrofat natyrore dhe 80% nga rritja e temperaturave.
Por, midis të gjitha këtyre shqetësimeve, që janë kërcënime reale nga zhvillimet klimatike, janë të pakët shqiptarët që do të ishin të gatshëm të kontribuonin në luftën ndaj ndryshimeve klimatike. Vetëm 39% e tyre do të ndërronin apo synonin një punë “eco-friendly”, që nuk dëmton mjedisin.
Në pyetjen nëse do të ishin të gatshëm të paguanin taksa më të larta për të ngadalësuar ngrohjen globale, 53% e tyre kanë refuzuar.
Shqiptarët rezultojnë më mikpritësit në anketë, ku 70% e tyre thonë se do të ishin pro ardhjes së refugjatëve nga vendet që rrezikohen prej klimës, drejt Shqipërisë.
Në total, 55% e shqiptarëve janë në mbështetje të politikave “green” dhe 45% janë skeptikë ose kundër tyre. Sipas shpjegimit, shumica e mbështetësve janë gra, qytetarë me arsim të lartë dhe ata me të ardhura mbi mesataren.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.