Financa Personale

Studimi i Bankës Botërore: Ngrohja globale rrit varfërinë e pabarazinë edhe në Shqipëri

Nga Gazeta 'SI' - Një studim i fundit i Bankës Botërore, ka zbuluar se ndryshimet globale ndikojnë drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve dhe rritja e temperaturave do të rrisë më tej varfërinë. Ata që do t’i ndjejnë më shumë pasojat, janë shtresat vulnerabël.

Sipas zbulimit, çdo 1 gradë që rritet temperatura, varfëria rritet me 9.1% dhe pabarazia me 0.8%, mesatarisht.

Për Shqipërinë, e cila cilësohet si një vend me të ardhura të mesme, norma e varfërisë është 1 dhe emetimet e CO2, 2.99 tonë. Rrjedhimisht, studimi thotë se në Shqipëri, ndikimi i ndryshimeve klimatike tek shtresa më e varfër, do të jetë më i limituar, rreth 1-2%.

Por ajo do të ndikojë shumë në pabarazinë sociale dhe ekonomike në vendin tonë, deri në 40%.

Parashikimet e BB-së thonë se deri në vitin 2030, 30-130 mln njerëz “të rinj” do të futen në varfëri ekstreme. Tani, numërohen 691 mln njerëz në botë që jetojnë me të ardhura ditore më të ulëta se 2.15 dollarë, kufiri i varfërisë ekstreme.

Ndërkohë, thotë studimi, vendet dhe njerëzit e varfër, kontribuojnë më së pakti në ngrohjen globale. Në një krahasim midis niveleve të varfërisë dhe normës së emetimeve, mund të shohim se ka një hendek shumë të madh në vendet e varfëra dhe me të ardhura të ulëta.

Vendi më i varfër dhe njëkohësisht me normën më të ulët të karbonit është Madagaskari, me 80% varfëri dhe vetëm 1 ton CO2 emetime.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë