Gazeta Si – Kalendari është shumë i ngjeshur deri në fund të këtij viti dhe për Superioren nuk ka pushim. Futboll luhet që sot, ditën e parë të javës, me dy ndeshjet e para të javës së 14-të. Spikat derbi mes Partizanit dhe Dinamos, që luhet në orën 17:00, ndërsa pak orë më parë Tirana ndeshet me Erzenin.
Tirana vjen pas fitores në minutat e fundit me Kukësin dhe kërkon të afrohet sa më shumë me dyshen kryesuese Egnatia-Partizani. Sfida e sotme me Erzenin, që luhet në stadiumin e Rrogozhinës, shihet si një mundësi e mirë për të marrë tri pikë të rëndësishme.

Partizani ndali serinë e fitoreve pak ditë më parë me Egnatian, por kryeson bashkë me rrogozhinasit, me nga 27 pikë. Të kuqtë kanë një ndeshje më pak. Trajneri Arbër Abilaliaj ka sot disa mungesa në mbrojtje për shkak të dëmtimeve, ku së fundi janë shtuar ato të Bytyçit dhe Prekës. Megjithatë, Partizani ka një grup të madh lojtarësh dhe kërkon fitoren ndaj Dinamos.
Skuadra e Dritan Mehmetit nga anan tjetër ka një ecuri të mirë rezultatesh dhe derbin e sotëm e sheh si një mundësi konfirmimi. Dinamo ka nisur të ngjitë shkallët e renditjes, duke përmirësuar ndjeshëm edhe gjendjen psikologjike. Favorit konsiderohet Partizani, por në një ddrbi gjithçka mund të ndodhë.
Java e 14-të e Superiores vazhdon ditën e martë me ndeshjet Teuta-Vllaznia, Laçi-Egnatia dhe Kukësi-Skënderbeu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




