Futboll

Milani rigjen fitoren pas një muaji e gjysmë, debutim historik për 15-vjeçarin Kamarda

Gazeta Si – Milani ka mundur 1-0 Fiorentinën në javën e 13-të të Serisë A, duke rigjetur kështu fitoren në kampionat pas një muaji e gjysmë. Kuqezinjtë i janë përgjigjur fitores së Napolit në fushën e Atalantës dhe kanë ruajtur vendin e 3-të.

Skuadra e Stefano Piolit arriti të marrë 3 pikët, falë një penalltie të fituar dhe ekzekutuar saktë nga Teo Hernandez në minutat shtesë të pjesës së parë. Pavarësisht mungesave të shumta dhe vuajtjeve në fundin e ndeshjes, për Milanin është një sukses shumë i çmuar në këtë moment.

Pioli mund ta përgatisë më mirë me të tijtë sfidën vendimtare të së martës kundër Borusia Dortmund në Ligën e Kampionëve. Fiorentina pëson humbjen e 4-t në 5 ndeshjet e fundit dhe rrezikon të parakalohet nga Roma dhe Bolonja.

Françesko Kamarda ka hyrë në histori sot, duke u bërë lojtari më i ri në moshë i të gjitha kohërave që luan në Serinë e A. Sulmuesi kuqezi, i cili hyri në fushë në minutën e 83 të ndeshjes Milan-Fiorentina, në vend të Joviç, është 15 vjeç, 8 muaj e 5 ditë. Kamarda kalon kështu Uisdom Amei të Bolonjës, që më 21 maj 2022 luajti në moshën 15 vjeç, 9 muaj e 1 ditë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë