Gazeta Si – FSHF organizoi sot në mbrëmje, në “Air Albania”, eventin e lançimit të strategjisë së futbollit të femrave, “Rising Stars 2023-2026”. Projektet e kësaj strategjie pritet të sjellin ndryshime cilësore në futbollin e vajzave 3 vitet e ardhshme, pasi janë bërë në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të UEFA-s.
Të pranishëm në këtë event ishin presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, përfaqësuesja e FIFA-s, Arbenita Morina, përfaqësuesja e UEFA-s, Alyssa Lagonia, futbolliste, mësues, trajnerë dhe personalitete të futbollit shqiptar.

Duka theksoi në fjalën e tij se synohet që futbolli i femrave të shkojë në nivelin e futbollit të meshkujve. “Jemi sot këtu jo thjesht për të prezantuar një document, që quhet strategjia e futbollit të vajzave dhe grave në Shqipëri, por për të vënë objektivat e të ardhmes dhe strategjitë. Më vjen mirë që ka shumë vajza në sallë, fatmirësisht kemi edhe ministren grua dhe dua ta falenderoj shumë për mbështetjen që i jep futbollit.
Kjo strategji bazohet në eksperiencën që kemi në qëllimin e futbollit të vajzave në Shqipëri. Kemi filluar vonë, por hapat kanë qenë të mirë dhe të kënaqshëm. Strategjia mbështetet në ndryshimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira për vajzat. E ftoj ministren që të jetë një vit, ku buxheti të përqëndrohet pak më shumë për futbollin e vajzave.
Kemi arritur sukses me Kombëtaren e meshkujve dhe zgjidhëm këtë ditë për të lançuar këtë strategji të futbollit të vajzave, për të treguar dhe demostruar se duam që futbolli i vajzave të arrijë në të njëjta nivele. Dikujt mund t’i duket utopike, por fatmirësisht është e realizueshme, përderisa është realizuar në disa vende të Europës”, – tha Duka.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, u shpreh: “Jam shumë e kënaqur që vij në prezantimin e një strategjie që bëhet për herë të parë në Shqipëri. Jam e bindur që pas të gjithë analizës që ju keni bërë është në fakt një investim në potencialin e pashfrytëzuar të vajzave dhe grave edhe në drejtim të një sporti që pak vite më parë dukej si një sport që i përkiste vetëm djemve”.
Shqiptarja Arbenita Morina, e cila përfaqësoi FIFA-n në këtë event, theksoi: “Ju premtoj që FIFA dhe UEFA do mundohemi bashkë që t’i arrijmë të gjitha objektivat e kësaj strategjie. Shpresoj që ta shoh Shqipërinë të ecë përpara dhe shumë vajza të luajnë futboll. Vitet e tjera do të jenë për ne”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




