Futboll

Brazili rrezikon të mos shkojë në Botëror, do të ishte hera e parë në histori!

Gazeta Si – Botërori i parë me 48 skuadra rrezikon të mos ketë një nga emrat më të mëdhenj të futbollit, Brazilin. Do të ishte një nga lajmet më të bujshme të historisë së këtij sporti.

Ka akoma kohë dhe Seleçao i ka të gjitha mundësitë të ringrihet, por po të shohësh klasifikimin e grupit të Amerikës së Jugut, me kombëtaren e vendit të sambës në vend të 6-të, dyshimet qëndrojnë. Përpara Brazilit janë aktualisht skuadra si Venezuela dhe Ekuadori. Mungesa e rëndësishme e Vinicius është një alibi, por skuadra e Diniz nuk fiton prej 4 ndeshjesh (barazim me Ekuadorin dhe 3 humbje radhazi me Kolumbinë, Uruguain dhe Argjentinën).

Humbja në ‘Maracanà’ me rivalët e përjetshëm të Argjentinës nuk dhemb si në finalen e 1950-ës me Uruguain, apo ‘Mineirazo’ i 2014-ës ndaj Gjermanisë, por duke parë atë që ndodhi në stadium, nuk është përjetuar aspak mirë nga tifozët.

Klasifikimi sheh Argjentinën në krye me 15 pikë, e ndjekur nga Uruguai me 13, Kolumbia me 12, Venezuela me 9, Ekuadori me 8 dhe Brazili me 7 pikë. Për momentin, duke ditur formulën e kualifikimit, Seleçao shkon në Botëror. Vendi i 7-të luan ndeshje shtesë.

Për herë të parë në histori Brazili rrezikon pjesëmarrjen në Botëror. Ajo që shqetëson më shumë është kriza e lojës së skuadrës së Diniz. Trajneri i përkohshëm sapo ka fituar Kupën Libertadores me Fluminensen dhe njihet si një nga më të mirët për të ashtuquajturin ‘futbolli funksional’. Një tip loje që shfrytëzon në mënyrën më të mirë karakteristikat teknike të individëve.

Është e paimagjinueshme ta shohësh Brazilin jashtë një Botërori. Megjithatë rreziku është serioz dhe Karlo Ançeloti, kur të ulet në stolin e këtij ekipi në qershor, do të gjejë një situatë të kompromentuar. Brazili është e vetmja skuadër që nuk ka munguar në asnjë Botëror dhe e vetmja skuadër që ka ngritur lart trofeun 5 herë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë