Merr fund çështja e trajnerit te Partizani. Klubi i kuq e ka marrë vendimin për ‘timonierin’ e ri të skuadrës, duke i dhënë fund përfundimisht kakofonisë drejtor-trajner të Arbër Abilaliajt.
Nëpërmjet një njoftimi për mediat mbrëmjen e së shtunës, zyra e komunikimit të Partizanit ka njoftuar se të dielën do të prezantohet trajneri i tyre i ri për vazhdimin e sezonit, por pa bërë të ditur emrin.
Gazeta Si ka mësuar se trajneri i ri që do të prezantojë klubi i kuq kryeqytetas do të jetë drejtori aktual, Arbër Abilaliaj, i cili deri në këto momente ka qenë një zgjidhje emergjente, pasi ai është edhe drejtori teknik i klubit.

Pas një kalvari të gjatë pritjeje, ku u fol për ish-trajnerin e Tiranës, Orges Shehi, i cili ka një çështje të pazgjidhur me klubin bardheblu dhe për këtë arsye palët janë në Dhomën e Zgjidhjeve të Konflikteve në FSHF, me sa duket presidenca e Partizanit nuk ka pritur më.
Gjithsesi, trajneri i ri do të jetë ky aktuali, Arbër Abilaliaj, i cili këtë herë do të prezantohet si trajner. Gjithashtu, ai do të prezantojë edhe stafin e tij ndihmës për vazhdimin e punës dhe me gjasë njëri prej tyre do të jetë ishi i Orges Shehit, bëhet fjalë për Artan Karapicin, edhe ai i larguar nga Tirana në momentin e largimit të trajnerit së bashku me nidhmësin tjetër, Sebino Plaku.
Nga ana tjetër, nuk dihet ende çfarë do të bëhet me ish-trajnerin bardheblu, i cili duket se ka një të ardhme te Partizani, tani apo pak më vonë. Kjo me sa duket varet nga koha që do t’i duhet të zgjidhë kontratën me Tiranën.
Për momentin për këtë çështje është zhvilluar seanca e parë në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF, ku i vetmi i paraqitur ka qenë ish-trajneri Orges Shehi, i cili siç mëson Gazeta Si, ka dhënë shpjegimet e tij për situatën dhe ka dorëzuar dokumentacionin me pretendimin e dëmshpërblimit me pagat deri në fund të sezonit.

Për të patur një zgjidhje për këtë situatë, do të zhvillohet edhe një seancë e dytë, e cila është planifikuar për në fillim të dhjetorit, rreth datës 5.
Si rrjedhojë, deri në zgjidhjen e kësaj situate, klubi i Partizanit ka vendosur që të zgjidhë problematikën e tij, duke emëruar si trajner Arbër Abilaliajn, kjo nisur edhe nga rezultatet pozitive që ai ka marrë në këto pesë ndeshje që ka drejtuar klubin, ku ka regjistruar 5 fitore.
Te Tirana situata mbetet kaotike, pa qetësinë e nevojshme për vazhdimësinë e sezonit. Pas largimit të trajnerit Orges Shehi dhe ndihmësave të tij, dje është zyrtarizuar edhe largimi i drejtorit sportiv Tefik Osmani, pas më shumë se 3 vite te kryeqytetasit, kur bardheblutë kanë regjistruar arritje të rëndësishme, duke fituar edhe titullin.
Në të njëjtën ditë me njoftimin e shkëputjes së marrëdhënies së Tiranës me drejtorin e tyre është zyrtarizuar edhe emërimi i tij si drejtor sportiv te Vllaznia, duke zëvendësuar Elvis Plorin, i cili është larguar nga detyra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




