Futboll

Dopio Osmani te Vllaznia, pas atij në stol vjen edhe drejtori sportiv

Gazeta Si – Tefik Osmani është drejtori i ri sportiv i Vllaznisë. Klubi shkodran ka bërë një tjetër lëvizje të rëndësishme në strukturën drejtuese, ku vendin e Elvis Plorit të larguar tashmë, e ka marrë ish-drejtori sportiv i Tiranës.

“Klubi i Futbollit Vllaznia bën të ditur se ka arritur marrëveshjen për pozicionin e drejtorit sportiv me z.Tefik Osmani. Ai vjen mbas një përvoje të konsoliduar në menaxhimin sportiv, të suksesshme dhe plot trofe. Klubi falenderon përpjekjet dhe përkushtimin e z.Elvis Plori për kontributin e tij të vazhdueshëm”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të klubi verior.

Pak javë më parë Vllaznia emëroi në stol Qatip Osmanin, ish-trajnerin e Shkëndijës së Tetovës, që zëvendësoi Migen Memellin. Tani vjen edhe një tjetër Osmani, shumë i njohur në futbollin shqiptar. Tefik Osmani në karrierën e tij ka veshur edhe fanellën e Vllaznisë, kështu që për të është një rikthim, por në një pozicion tjetër.

Gjatë këtij sezoni skuadra shkodrane ka pasur një ecuri me luhatje të forta, ndaj dhe drejtuesit e klubit kanë bërë këto ndryshime, kur jemi ende në fillim të fazës së dytë të kampionatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë