Njerez

Historia e fermerit nga Lushnja që nga fitues u kthye në ‘borxhli’ ndaj IPARD

Nga Megi Iskurti- Fiqiri Sinani, një fermer që zotëron 7 HA tokë në fshatin Tërbuf të Lushnjes, rezulton një ndër debitorët e fondeve IPARD II, pasi sipas AZHBR, autoriteti përgjegjës për shpërndarjen e parave, ai ka rezultuar me shkelje të kushteve të kontratës.

Pas pezullimit prej korrikut të miliona eurove grante për bujqësinë që Bashkimi Europian i jepte Shqipërisë në kuadër të programit IPARD, për shkak të dyshimeve për korrupsion, AZHBR ‘ka vënë në shenjestër’ 17 subjekte të gjetura me shkelje që refuzojnë të kthejnë shumat e përfituara.

Por rrëfimi i Sinanit për Gazetasi.al, tregon në fakt për një anë tjetër të historisë: ai jo vetëm nuk ka përfituar, por kjo kontratë është shndërruar në ‘’rrënimin e tij’’.

E gjithë historia nisi në 2018-n.

Atëbotë ai u shpall fitues i një kontrate me vlerë 350 mijë nga fondet e IPARD, për ndërtimin e një sere që do të kushtonte 450 mijë euro.

“Unë isha i interesuar për sera diellore por mundësia ime financiare ishte shumë e vogël ndaj kërkova të aplikoja për të përfituar grantin. Ata më thanë që do të siguronin kolateralin për të gjithë fermerët të cilët do të shpalleshin fitues nga AZHBR dhe kredinë ne mund ta merrnim në katër banka me të cilat ato kishin lidhur marrëveshje”, nis rrëfimin Sinani për Gazetasi.al.

Rruga e aplikimit ishte shumë e gjatë dhe burokracitë, sipas tij, nuk kishin të sosur. Për të plotësuar dosjen e IPARD, të përbërë nga 50 dokumente, Sinanit iu deshën dy vjet dhe shpenzimet ishin rreth 80 mijë euro.

Të gjithë kursimet e jetës së tij, ai i investoi për të përfituar nga ky projekt me shpresën se me ndërtimin e serës do të merrte të ardhura të konsiderueshme nga bujqësia.

Plotësimi i kritereve, Fiqiri Sinanit i kushtoi dy vite kohë

“Ishte si një libër. Jam sorollatur për dy vite nëpër zyra sepse kishte kërkesa nga më të ndryshme që një fermer i thjeshtë pa një konsulent nuk mund t’i plotësonte kurrë vetëm.

Pas dy vitesh, pasi përmbusha me përpikmëri të gjithë kriteret që kërkoheshin, unë më në fund u shpalla fitues. Serën duhet ta mbaroja në një hark kohor prej 6 muajsh”, vijon ai mandej për Gazetasi.al ndërsa shton se asokohe sapo kishte nisur pandemia.

Ajo që në fakt, u kthye “në justifikimin” e të gjithë bankave që zgjodhën të mos i lëvronin kredinë.

“Pasi u shpalla fitues, hapi i parë ishte lidhja e kontratës me firmën Luchini, një kompani shumë serioze që do asistonte në ndërtimin e serës. Më pas shkova që të merrja kredinë që më takonte tek bankat të cilat përfshinte marrëveshja. Por asnjë prej tyre nuk më dha kredi me pretendimin që ishte periudhë pandemie”, deklaron ai ndërsa shton se gjithashtu bankat i kërkonin edhe një shumë të konsiderueshme parash të vëna mënjanë.

“Me kontratën në dorë unë shkova tek bankat, por asnjëra prej tyre nuk ma miratoi kredinë. Më thonin që nuk kishin siguri të plotë dhe kërkonin që unë të lija 200 mijë euro garanci ndërkohë që nga AZHBR na u sigurua fillimisht që kishte një fond garancie nga qeveria dhe se as tokën tonë nuk do e linim për garanci për bankën.

Ku t’i gjeja unë kaq shumë para? Nëse do kisha 200 mijë euro nuk do kërkoja grant nga qeveria për të ndërtuar një serë që kushtonte 350 mijë euro”, deklaron ai për Gazetasi.al ndërsa shton se për shkak të Covid-it, firma Luchini kishte pezulluar aktivitetin në fabrikë dhe asnjë punëtor nuk shkonte në punë.

Në kushtet kur afati për ndërtimin e serës po mbaronte, puna nuk kishte nisur ende dhe kredinë nuk e kishte marrë për shkak të pandemisë, Fiqiri iu drejtua kryeministrisë.

“Ata më sugjeruan që të bëja kërkesë për një shtyrje kontrate për gjashtë muaj të tjerë dhe më premtuan që do rishikonin mundësinë për një kredi me bankat me të cilat kishin marrëveshje.

Por as në shtyrjen e dytë të kontratës nuk munda të përfitoja kredinë sepse më thonin që kontrata ishte e fryrë ndërkohë që kostoja në fakt ishte reale. Të gjithë këtë e bënin sepse donin 20% të grantit tim. Por unë ju thashë që nuk do ju jepja as edhe një qindarkë sepse dokumentet i kisha plotësuar me shumë mund dhe kontratën e kisha fituar me zotësinë time”, citon gjithë nerv ai për Gazetasi.al.

E vetmja zgjidhje e mbetur, ishte dhe një shtyrje tjetër kontrate, për një afat njëmujor.

“Për shkak të një rasti të rëndë shëndetësor të tim biri tre vjeçar, me shpresën se kisha një muaj kohë, kërkesën e bëra pas dy javësh. Por më sollën një shkresë duke më thënë se në fakt afati ishte një muaj kohë ditë pune dhe jo ditë kalendarike. Pra unë kisha patur vetëm 15 ditë afat.

Nuk morën parasysh asnjë nga raportet e spitalit. Më thanë që kisha patur një vit kohë dhe nuk e kisha kryer investimin ndërkohë që po ata vetë gjatë gjithë vitit nuk më jepnin kredinë për shkak të pandemisë”, rrëfen më tej këtë paradoks, për Gazetasi.al ai.

Në këtë situatë, Fiqiriu dërgoi të gjithë dosjen tek zyrat e BE në Tiranë. Pas disa muajsh Komisioni Europian pezulloi fondet e IPARD II për akuza për korrupsion.

“Unë do pres dhe pak sa të jepet vendimi i OLAF që të shikoj se çfarë bëhet dhe bashkë me kamalajtë e mi, dy vajzat edhe djalin, do shkoj në Bruksel dhe do kërkoj azil politik edhe ekonomik para paralamentit. Ose do bëj sera në tokën time ose nuk ka!

Se prandaj janë këto 29 mijë euro që janë marrë dhe ata unë do t’i jap atje në Bruksel, se janë paratë e taksapaguesve belgë jo të zonjës Frida Krifca (ish-ministrja e bujqësisë)”, deklaroi ai për Gazetasi.al ndërsa shton se tani çështja ka kaluar në gjykatë Administrative.

“Gjyqi ka gati një vit që po zgjat. Lekët unë do i çoj atje ku janë për t’u dhënë por dua dhe lekët e mia. Gjithë lekët që kam shpenzuar deri më tani nuk e di kush do m’i japë”, thotë ai.

Çfarë ndodh me debitorët? 

Ilir Pilku, një nga tre ekspertët e certifikuar nga BE-ja në Shqipëri, për “Politikat e Përbashkëta Europiane” ka sqaruar më herët se pas refuzimit, autoritetet e adresojnë problematikën në gjyqësor. 

“Në bazë të një marrëveshjeje që Ministria e Bujqësisë ka me DG Agrin detyrimin ndaj shlyerjes së fondeve e ka si detyrë qeveria shqiptare.

Qeveria shqiptare është e detyruar të rimbursojë Bashkimin Europian për vlerën e dakordësuar nga mbrojtja, që në këtë rast është struktura operative e IPARD-it në Shqipëri dhe Zyrës së OLAF-it në Bruksel. Dhe më pas, qeveria ndjek rrugët ligjore për pjesën e pakthyer nga subjektet, hap procese gjyqësore ndaj subjekteve të gjetura në shkelje të kontratës”, sqaron Pilku, teksa thekson se kjo lëvizje i hap rrugën çeljes së fondeve të tjera për bujqësinë, në rastin tonë programit IPARD III. 

Aktualisht, ministrja Denaj ka sqaruar se për IPARD III nuk bëhet fjalë për pezullim, por për lënie në pritje të programit në një kohë kur të gjitha proceset janë në monitorim të plotë. 

“Afati i IPARD II përfundon në dhjetor dhe kemi bërë të gjithë praktikën për IPARD III të dorëzuar siç e kanë bërë edhe vendet e tjera të rajonit”, deklaroi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë