Futboll

Surprizë e dyfishtë në Amerikën e Jugut, humbasin Argjentina dhe Brazili

Gazeta Si – Dy surpriza të mëdha vijnë nga xhiroja e 5-të e kualifikueseve në Amerikën e Jugut për Botërorin e radhës. Argjentina, kampione në fuqi, është mundur 0-2 në shtëpi nga Uruguaji. U mund edhe Brazili, me rezultatin 2-1 në Kolumbi.

Kjo është humbja e parë në kualifikueset e Botërorit për Argjentinën dhe goditja e radhës nga trajneri Marselo Bielsa, argjentinasi që drejton Uruguain. Pasi mundi Brazilin, ai ia doli të mposhtë edhe kampionët në fuqi të botës.

Araujo shënoi golin e parë pas një aksioni të bukur nga e majta të uruguaianëve. Tri minuta para fundit Argjentina pësoi edhe golin e dytë në kundërsulm, me autor Nunjez, i cili heshti stadiumin ‘Bombonera’. Mesi me shokë mbajnë vendin e parë edhe pas kësaj humbjeje, por tani me vetëm 2 pikë avantazh ndaj vendit të dytë, që mbahet nga Uruguai.

Nuk shkoi më mirë Brazili, që në 3 ndeshjet e fundit ka marrë vetëm 1 pikë. Këtë herë u mund 2-1 nga Kolumbia. Martineli shënoi për Brazilin pas vetëm 4 minutash, por gjithçka u përmbys në fund të ndeshjes, brenda 4 minutash. Luis Diaz, sulmuesi i Liverpulit, shënoi 2 gola pas një jave shumë të vështirë për shkak të rrëmbimit të prindërve.

Kolumbia tani mban vendin e 3-të me 9 pikë, -3 nga kreu. Brazili mbetet me 7 pikë dhe ndaj Argjentinës më 22 nëntor nuk mund të gabojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë