Futboll

Prezantohet topi zyrtar i Euro 2024! Quhet ‘dashuri për futbollin’ dhe ndihmon VAR-in

Gazeta Si – ‘Fussballliebe’ do të jetë topi zyrtar i Euro 2024, ku do të marrë pjesë edhe Shqipëria (duhet vetëm një pikë për të siguruar pjesëmarrjen). Topi, emri i të cilit në gjermanisht do të thotë ‘dashuri për futbollin’, karakterizohet nga teknologjia ‘Adidas Connected Ball’.

Me anë të kësaj teknologjie ofrohet shikimi i çdo elementi të lëvizjes së topit, çka kontribuon në procesin vendimmarrës të asistentit video arbitral të UEFA-s. Pjesa që mbështjell topin ka në brendësi ‘Ctr-Core’, e projektuar për precizion dhe koherencë, duke favorizuar lojën e shpejtë dhe të saktë në nivelin maksimal.

“Kemi shumë besim se ‘Fussballliebe’ i Adidas do të shënojë një tjetër hap përpara në impenjimin tonë drejt më të mirës”, – ka thënë drejtori teknik i UEFA-s, Zvonimir Boban.

Përdorimi i ngjyrave të ndezura, si e kuqe, blu, jeshile dhe portokalli, është bërë si për qëllimin për të treguar gjallërinë që kombet sjellin në këtë kompeticion, ashtu edhe për thjeshtësinë e pastër dhe pasionin për futbollin. Ilustrimet e secilit prej stadiumeve të turneut shfaqen në top pranë emrit të secilit qytet pritës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë