Futboll

Egnatia-Partizani do vazhdojë nga minuta e 24-t, me të njëjtin protokoll

Gazeta Si – Java e 13-të e Superiores u shty nga ngjarja tragjike e Rrogozhinës, ku humbi jetën sulmuesi ganez, Rafael Duamena. FSHF ka vendosur që kjo javë të luhet më 23 nëntor, menjëherë pas ndërprerjes së kampionatit nga ndeshjet e Kombëtares.

Tashmë ka edhe një vendim se si do të veprohet me ndeshjen Egnatia-Partizani, e ndërprerë në minutën e 24-t, kur Duamena ra pa ndjenja në fushë. Ndeshja do të vazhdojë pikërisht nga kjo minutë, për të luajtur 66 minutat e mbetura të kohës së rregullt. Rezultati ishte 1-1 për aq sa u luajt.

Momenti kur Duamena ra pa ndjenja ne fushe. Gazeta Si, 15 nentor 2023

Ndeshja do të vazhdojë me të njëjtin protokoll, pra me të njëjtët lojtarë që ishin në fushë atë ditë. Egnatia bëri zëvendësimin në ato momente, ku vendin e Duamenës e zuri Isgandarli. Megjithatë, loja nuk vazhdoi, sepse lojtarët ishin të tronditur nga ajo që ndodhi. Ata nuk deshën të ktheheshin në fushë pa mësuar fatin e Duamenës, që rezultoi tragjik.

FSHF më pas vendosi shtyrjen e të gjitha ndeshjeve. Kampionati elitar do të kthehet mesjavën e ardhshme, me po ato ndeshje që ishin në kalendar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë