Futboll

Transferimi i dështuar te Interi dhe refuzimi që i bëri Sevillës, Ujkani flet për ofertat që kishte dhe pengun e madh në karrierë

Portieri Samir Ujkani i ka dhënë fund karrierës së tij pas 16 viteve të kaluara në futbollin profesionist.

Ish-kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës kohën më të madhe e ka kaluar në Itali, ku ka luajtur për shumë skuadra.

Torino, Empoli, Palermo, Genoa, Pisa, Cremonese, Chievo, Novara e Latina kanë qenë skuadrat ku ka luajtur portieri kosovar.

Mirëpo në vitin 2013 ai ka qenë shumë pranë hapit të madh në karrierë, për t’iu bashkuar gjigantit italian Inter.

Ujkani ka thënë se i dështoi transferimi te Interi, por jo për faj të tij pasi ai ishte i gatshëm të bashkohet me zikaltërit.

“Transferimi te Inter më ka dështuar… Nuk është mirë me fol tani, por ka dështuar. Ishte viti 2013 sa isha pjesë e Palermos dhe kisha disa probleme me klubin, ndërkohë që në afatin kalimtar të janarit isha pranë Interit”.

“Transferimi te Interi dështoi për pak, por jo për shkak të fajit tim, megjithatë tani nuk ia vlen të flasim”, tregon Ujkani.

Por pengu më i madh në karrierën e tij mbetet që nuk u transferua te Sevilla, pasi ishte vetë Ujkani që refuzoi gjigantin spanjoll për t’iu bashkuar Chievos.

“Gabimi më i madh i imi mendoj se është që refuzova transferimin te Sevilla. E kisha ofertën e Sevillës në tavolinë dhe e kam refuzuar. Ky është pengu më i madh në karrierën time, pasi është dashur të transferohem atje. E quaj gabimin më të madh që kam bërë”.

“Atë vit vendosa që të transferohem te Chievo që ishte një tjetër gabim pasi nuk shkoi siç e kisha menduar, derisa Sevilla filloi të fitonte Liga të Evropës pa ndalur”, deklaroi ndër të tjera Ujkani. /Telegrafi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë