Gazeta Si – Problemet kardiake të Rafael Duamenës diheshin që në momentin që ai erdhi në Shqipëri në janar të këtij viti. Gjatë vizitave mjekësore, para se të firmose me Egnatian, u konstatuan këto probleme. Megjithatë, ai luajti dhe shkëlqeu me rrogozhinasit deri sot në mesditë, kur ndodhi ajo që ishte paralajmëruar.
Lojtari 28-vjeçar ra pa ndjenja në fushën e blertë dhe më pas ndërroi jetë. Natyrshëm lind pyetja: Pse u lejua Rafael Duamena të luante në Shqipëri?
Aq më tepër, sulmuesi nga Gana i kishte shfaqur këto probleme edhe në Spanjë, te Real Saragoza, madje kishte pësuar aty një kolaps të kësaj natyre. Duamena ka mbajtur dhe defribilator. Edhe në vende të tjera ku ka luajtur, problematika është evidentuar qartë dhe pikërisht për këtë arsye është larguar prej andej, sepse me shumë mundësi nuk është lejuar të luajë.
Po në Shqipëri çfarë ka ndodhur? Federata Shqiptare e futbollit kërkon një raport mjekësor nga një mjek sportiv, apo një strukturë mjekësore e licencuar, që të bëjë regjistrimin e çdo futbollisti. Logjika e thjeshtë është se në FSHF ky raport ka shkuar me siguri.
Tani pikëpyetja e madhe është se kush e ka lëshuar raportin për Duamenën, që ai është i aftë të luajë, ndërkohë që ka probleme kardiake?! Një çështje që mund të qartësohet me kalimin e orëve, kur secila palë të tregojë dokumentacionin përkatës.
Dhe në Shqipëri në fakt kjo çështje nuk ndodh për herë të parë. Edhe më parë ka pasur raste po me futbollistë të huaj që kanë pasur probleme të ngjashme. Ata në fakt kanë luajtur, por nuk kanë pasur fatin e keq të Duamenës.
I tillë ka qenë rasti i lojtarit Januari Ziambo, që ka luajtur me disa skuadra në vendin tonë, apo dhe Kirian Nuabueze te Laçi. Madje ky i fundit, që fitoi edhe ‘Këpucën e Artë’ me kurbinasit, ka pasur një kolaps në fushë, pa pasoja fatale fatmirësisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.