Futboll

Kosova për të tretin vit radhazi lë pas Shqipërinë për klubet, krenohemi me ekipet jashtë territorit tonë!

Për të tretin vit radhazi, Kosova arrin të jetë e pozicionuar më mirë se sa Shqipëria në klasifikimin e klubeve. Një renditje kjo që bëhet në bazë të arritjeve të klubeve në Kupat e Europës dhe që përcakton gjithashtu edhe fazën nga cili raund paraeliminator e fillojnë aktivitetin.

Që nga sezoni 2020/2021 klubet shqiptare duket se kanë patur një rënie të madhe në paraqitjet e tyre, çka reflektohet edhe në klasifikimin e UEFA-s, që në atë edicion e poziciononte Shqipërinë me 4 klube në Kupat e Europës, 3 vendet e para dhe fituesin e Kupës së Shqipërisë, duke u renditur në vendin e 41-të. Kosova renditej në vendin e 48-të, me 3 klube pjesëmarrëse në eventet kontinentale.

Ballkani feston një fitore në stadiumin "Fadil Vokrri". Gazeta Si, 10 nentor 2023

Nga ai vit, kur të dyja vendet u bënë me 4 klube pjesëmarrëse në Kupat e Europës, Kosova na ka parakaluar, për ta thelluar më pas diferencën me klubet shqiptare. Pjesëmarrja e kampionëve të Ballkanit nën drejtimin e Ilir Dajës në dy edicionet e fundit në fazën e grupeve të Ligës së Konferncës i ka dhënë një avantazh shumë të madh futbollit kosovar. Shembulli perfekt i një klubi, që funksionon siç duhet si në aspektin financiar, ashtu edhe atë sportiv.

Për sa u përket emrave në klasifikimin më të fundit që ka publikuar UEFA, klubi shqiptar i renditur më mirë është ai i Shkëndijes së Tetovës, në vendin e 169-të, i ndjekur nga Ballkani, në vendin e 174-t pozicionohet Shkupi, një tjetër ekip shqiptar nga Maqedonia e Veriut.

Për të gjetur në këtë klasifikim prej 421 klubesh europiane ekipet e Shqipërisë duhet të zbresësh në vendin e 200-të, ku ndodhen kampionët në fuqi të Partizanit, një pozicion mbi Dritën e Kosovës. Sa i përket skuadrës më të titulluar në vend, Tiranës, që arriti deri në raundin e dytë eliminator të Ligës së Konferencës, ku u mund nga Beshiktashi, gjendet në vendin e 243-të, duke lënë pas rivalin e tyre të verës së shkuar në raundin e parë eliminator Dinamo Batumin, që renditet në vendin e 247-të, të cilin e mundën dhe eliminuan.

Skuadra më e suksesshme shqiptare, Skënderbeu, pjesëmarrëse në fazën e grupeve të Ligës së Europës në vitin 2017-të, nuk figuron fare më në këtë listë që nga edicioni 2020/2021, duke i humbur gjurmët edhe për shkak të mospjesëmarrjes më në Kupat e Europës dhe dënimit të rëndë 10-vjeçar nga këto aktivitete. Një penalizim ky, më i rëndi i dhënë ndonjëherë nga UEFA.

Klasifikimi i klubeve shqiptare në UEFA për edicionin 2023/2024
Pozicioni i Klubit
200 Partizani
243 Tirana
285 Teuta
308 Vllaznia
367 Kukësi
411 Egnatia


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë