Futboll

Festë e dyfishtë për Asllanin, Interi siguron edhe pikët për Botërorin e klubeve

Gazeta Si – Interi kishte arsye të dyfishtë për të festuar në dhomën e zhveshjes pas fitores 0-1 ndaj Salcburgut. Jo vetëm që ka siguruar kualifikimin për në fazën me eliminim direkt në Champions, por ka fituar edhe të drejtën për të shkuar në Botërorin e klubeve që zhvillohet në verën e 2025-ës.

Skuadra e Inzagit ka fituar pikët e nevojshme për të qenë pjesë e këtij kompeticioni dy vjet para se ai të zhvillohet. Interi është skuadra e parë italiane që e arrin këtë objektiv.

Kristjan Asllani me shokë bashkohen kështu me të kualifikuarat e tjera, që janë Çelsi, Real Madrid dhe Mançester Siti. Këto skuadra e kanë fituar të drejtën e pjesëmarrjes si fitueset e fundit të Championsit, përveç PSG-së dhe Bajernit të Mynihut.

Sa i takon mesfushorit të Kombëtares, ai ka marrë sërish vlerësime nga trajneri Simone Inzagi për paraqitjen e bërë ndaj Salcburgut. "Po më bind çdo ditë e më shumë", - tha trajneri italian pas ndeshjes. Rritja e lojtarit kuqezi vazhdon.

Janë kualifikuar edhe Palmeiras, Flamengo dhe Fluminense si fituese të Kupës Libertadores nga 2021-shi në 2023-shin, ashtu si dhe Al-Hilal dhe Urava Reds, fitues të Championsit aziatik.

Kualifikim direkt edhe për Al-Ahli (fitues i CAF Champions 2020/21 dhe 2022/23), Uidad Kazablanka (fituese e Champions 2021/22), Monterrei (fitues i CONCACAF Champions 2021), Siatëll Sounders (fitues i CONCACAF Champions 2022) dhe Leon (fitues i CONCACAF Champions 2023).

Mbeten për t’u përcaktuar edhe 16 vendet e fundit, nga të cilat 6 nga UEFA dhe ato që mbeten nga Azia (2), Afrika (2), Amerika (2) dhe Amerika e Jugut (4)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë