Gazeta Si - Inter siguron kalimin në fazën e 1/8-ve në Champions, pasi ka mundur 0-1 Salcburgun në Austri. Pas një pjese të parë studimi dhe pritjeje, u deshën zëvendësimet e Inzagit për të zgjidhur ndeshjen dhe kualifikimin.
Barela fitoi një penallti, pas prekjes së topit me dorë nga një mbrojtës i Salcburgut, dhe Lautaro nuk gaboi nga pika e bardhë 5 minuta para fundit. Tani në lojë mbetet vetëm vendi i parë, që do të diskutohet me Real Sociedad në dy ndeshjet e fundit.
Kristjan Asllani luajti gjysmë ore në këtë ndeshje, plus shtesat. Në një moment ai iu afrua shumë golit me një gjuajtje nga jashtë zonës, në pozicion ballor. Pritja e portierit Shlager në dy kohë i mohoi golin mesfushorit shqiptar.
Një ndeshja dramatike ishte ajo mes Kopenhagenit dhe Mançester Junajtid, që përfundoi me fitoren e vendësve, 4-3. Skuadra e Ten Hag udhëhiqte 0-2 në Danimarkë, por ndeshja u komplikua nga një karton i kuq i Rashford dhe Kopenhagen barazoi që në pjesën e parë. Në të dytën Bruno Fernandes i dha sërish avantazhin ekipin anglez me penallti.
Më pas ‘Djajtë e kuq’ pësuan dy gola në pak minuta, duke pësuar humbjen e radhës, që i lë në vend të fundit në grup dhe kualifikimi duket një mision i pamundur, edhe pse matematika jep shpresë. Ndeshja në Kopenhagen u ndërpre në një moment, pasi një tifoz u fut në fushë me flamurin palestinez.
Union Berlin ka marrë pikën e parë në grup, pasi ka barazuar në ‘Maradona’ ndaj Napolit. Real Madrid vazhdon të jetë si një ‘rul’ në Champions dhe sot ka mundur 3-0 Bragën, duke marrë fitoren e 4-t në po aq kaq ndeshje. Ka fituar edhe Bajern Mynih 2-1 ndaj Gallatasarajit me dopietën e Herri Kejn.
Champions, ndeshjet e 4-ta në grup
Sot
Napoli-Union Berlin 1-1
Real Sociedad-Benfika 3-1
Arsenal-Sevilja 2-0
Bajern Munih-Gallatasaraj 2-1
Kopenhagen-Mançester Junajtid 4-3
PSV-Lens 1-0
Real Madrid-Braga 3-0
Salcburg-Inter 0-1
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.