Futboll

Në Francë kanë filluar të dridhen, shohin një eliminim të bujshëm të PSG-së në horizont

Gazeta Si – Në Francë lëshojnë alrmin pas humbjes ndaj Milanit në atë që duhej të ishte ndeshja e kualifikimit matematikor për në 1/8a-t. Tani PSG rrezikon eliminimin e bujshëm.

Në ‘San Siro’ PSG erdhi me besimin e madh të krijuar pas 5 fitoreve radhazi, me 3 gola të shënuar për ndeshje, përfshirë edhe atë me Milanin në Paris. Të gjithë mendonin se klubi i emirit të Katarit do të prenotonte 1/8-at e Championsit pa vështirësi. Por skuadra e Piolit përmbysi të gjitha parashikimet.

Milani e hodhi në tapet skuadrën e Luis Enrikes, së cilës tashmë nuk i falet asnjë gabimn. Madje në Francë kanë filluar të dridhen, sepse i druhen eleminimit. ‘L’Equipe’ ka mbajtur një qëndrim pak optimist, duke iu referuar vështirësive të PSG-së jashtë fushe.

“Frika e boshllëkut”, - është titulli që përmbledh kronikën e mbrëmjes në ‘San Siro’. “Edhe dy ndeshje në grup, - shpjegon gazeta franceze, - dhe rreziku i eliminimit ekziston”. Për të përditshmen e kryeqytetit, ‘Le Parisien’, humbja me Milanin rihap llogaritë e kualifikimit, që kushtëzohen tashmë nga sfida me Njukasëllin, ndaj të cilit Mbape me shokë humbën 4-1 në Angli.

Ka edhe nga ata që marrin makinën llogaritëse dhe vlerësojnë çdo skenar, si ‘RmcSports’, që flet për dy ndeshje shumë të nxehta përpara. Sidomos ajo në Gjermani, një transfertë që nuk lë shumë vend për optimizëm. Sipas ‘Goal’, PSG mund të kualifikohet, nëse mund Njukasëllin dhe Milani humb me Borusian.

Mbape gjithsesi duket optimist. “Na munguan disa gjëra, - tha sulmuesi pas humbjes me Milanin, - por do të provojmë të reagojmë që në ndeshjen me Njukasëllin”. Shumë gjëra varen, si zakonisht, nga golat e tij. Borusia Dortmund ka 7 pikë, PSG 6 dhe Milani 5.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë