Futboll

Champions/ Tension dhe përplasje mes tifozëve para Milan-PSG, plagoset me thikë një francez

Gazeta Si – Është mbrëmja e parë e Championsit për këtë javë, por në Itali tensioni është i lartë në prag të sfidës Milan-PSG. Rreth 100 ultras kuqezi kanë sulmuar ata të klubit francez, duke dashur të marrin hak për atë që ndodhi në Paris.

Skena guerrilje mbrëmjen para ndeshjes mes Milanit dhe PSG-së, ku skuadra e Piolit luan shansin e fundit për kualifikimin. Sipas ‘Corriere della Sera’, tifozët italianë, të gjithë të veshur me të zeza, kanë sulmuar francezët që ndodheshin jashtë lokaleve në Ripa di Porta.

Kanë ndërhyrë menjëherë karabinierët dhe policia, ndërkohë që bilanci është me disa të plagosur mes francezëve. Njëri prej tyre është transportuar për në spital në gjendje të rëndë, pasi ka marrë plagë me thikë. Është plagosur edhe një agjent policie.

Ngjarja ndodhi pak pas mesnate dhe me siguri gjithçka ka qenë e planifikuar nga tifozët e Milanit si hakmarrje për sendet e hedhura në tribunën e tyre gjatë ndeshjes në Paris. Nëpërmjet pamjeve filmike pritet të identifikohen autorët, ndërkohë që ky episod e ka rritur së tepërmi tensionin para ndeshjes, që konsiderohet me rrezik të lartë.

Milani ka vetëm 2 pikë pas 3 ndeshjeve të para në grup dhe vetëm fitorja e mban në lojë për kualifikimin.

Champions, ndeshjet e 4-ta në grup
Sot, ora 18:45
B.Dortmund-Njukasëll
Shakhtar-Barcelona
Ora 21:00
Milan-PSG
Atletiko Madrid-Selltik
Crvena Zvezda-Lajpcig
Porto-Antverp
Lacio-Fejnord
Mançester Siti-Jang Bojs


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë