Futboll

Marvin Çuni shënon golin e javës në Itali, ndëshkon Berishën dhe Ismajlin

Gazeta Si – Një prekje spektakolare me thembër dhe topi në rrjetë. Marvin Çuni më në fund ka shënuar golin e parë në Serinë A. Sulmuesi 22-vjeçar i Kombëtares ishte protagonist absolut në fitoren 2-1 të Frozinones ndaj Empolit.

Duhej një portier pak ‘familjar’ si Etrit Berisha, që Çuni të zhbllokohej. Sipas shtypit italian, ai ka shënuar me shumë mundësi golin më të bukur të javës në Serinë A. Ishte një veprim i bukur teknik, që vërteton se sulmuesi i formuar te Bajerni e meriton të luajë në Serinë A.

Çuni shënoi edhe në pjesën e parë në portën e Berishës, pas një gabimi në mbrojtje të Ismajlit, por ky gol u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje. Ismajli, titullar në këtë ndeshje, bëri një paraqitje larg nivelit të tij të zakonshëm, kurse Çuni u vlerësua me notën 7.5, ashtu si dhe Arijon Ibrahimoviç, i cili shënoi golin tjetër për Frozinones.

Në ndeshjen tjetër të luajtur sot në kampionatin italin, Sasuolo e Nedim Bajramit u mund 2-1 nga Torino. Fantazisti kuqezi luajti vetëm në pjesën e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë