Futboll

Partizani bën 6 fitore radhazi, Vllaznia një ‘lojë fëmijësh’ për kampionët në fuqi

Gazeta Si – Gjashtë fitore radhazi për Partizanin, shifra të denja për një ekip kampion. Të kuqtë kanë mundur sot me lehtësi Vllazninë dhe këtë herë nuk është dashur goli në minutat shtesë për skuadrën që drejtohet nga Arbër Abilaliaj.

Përfundoi 4-1 ndeshja e zhvilluar në ‘Arena e Demave’, që mbylli javën e 12-të të Superiores. Partizani barazoi Egnatian kështu në krye të klasifikimit, me 26 pikë, por kryeqytetasit janë me një ndeshje më pak. Rrapaj, Preka, Mehmeti dhe Maget shënuan sot golat e fitores së kampionëve në fuqi.

Edhe golin e Vllaznisë në këtë ndeshje e shënuan vetë të kuqtë. Ishte një autogol i portierit Qirko, pasi topi i gjuajtur nga Balaj u përplas në shtyllë dhe pastaj në shpinën e tij për të shkuar në rrjetë. Shkodranët treguan mangësi të theksuara në këtë ndeshje.

Që nga ndeshja me Kukësin, ku fitoi 4-3, Partizani njeh vetëm suksese. Më pas ka mundur Tiranën në derbi dhe me radhë, Erzenin, Teutën, Laçin dhe tani Vllazninë. Me këtë ecuri mjaft pozitive, kryeqytetasit i kanë të gjitha shanset ta mbrojnë titullin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë