Futboll

Sandro Tonali nën hetim edhe në Angli, mund të ketë vënë bast edhe për Njukasëllin

Gazeta Si – Një tjetër hetim për Sandro Tonali, këtë herë në Angli. ‘Football Association’ ka hapur një hetim për mesfushorin italian, për të pasur qartësi në lidhje me kufijtë e aktivitetit të tij të basteve.

Federata angleze kërkon të sigurohet që Tonali nuk ka vazhduar të vërë baste në futboll edhe pas transferimit te Njukasëlli. Ky hetim mund të ndihmojë edhe klubin aktual të lojtarit, që në të njëjtën kohë po bën edhe një hetim të brendshëm.

Po Milani, a ishte në dijeni të situatës së Tonali para shitjes te Njukasëll? Dan Ashuorth, drejtori sportiv i klubit anglez nuk ka dashur të çbilancohet në konferencë shtypi, ku ka njoftuar për hetimin e brendshëm.
"Është vërtet e vështirë për mua të hyj në atë që të tjerët në klub bëjnë, apo nuk dinë. Ajo që mund të bëjmë tani është të kryejmë procesin tonë të brendshëm”, - ka theksuar Ashuorth.

Drejtuesi i Njukasëllit nuk e ka fshehur dëshpërimin për rrethanat, në të cilat doli lajmi për përfshirjen e Tonali në baste. Ai tani po kërkon një tjetër lojtar që do të zëvendësojë italianin gjatë 10 muajve të skualifikimit. Emri më i lakuar është ai i Ruben Neves të Al Hilal, duke shfrytëzuar raportet që Njukasëlli ka me Saudi Pro League.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë