Futboll

Mbape dhuron syze për 1000 fëmijë: Kam një palë dhe për Dembele, ta ndihmojnë për gola

Gazeta Si – Sulmuesi francez rigjen buzëqeshjen pas zhgënjimit për vendin e 3-të në renditjen e ‘Topit të Artë’. Një batutë edhe për shokun e skuadrës te PSG.

Buzeqeshjet e fëmijëve për të harruar zhgënjimin e ‘Topit të Artë’. Kilian Mbape ka lënë pas gjithçka. Të hënën në mbrëmje ai ishte i ngrysur në ceremoninë e çmimit të ‘France Football’, që u fitua për herë të 8-të nga Mesi. Sulmuesi zuri vendin e 3-të, për herë të parë në pod, por pas Erling Haland.

Një ditë më pas Mbape ishte mes energjisë së mijëra fëmijëve të periferisë së Parisit, në kuadrin e një aktiviteti bamirësie. Një nga të shumtat ku ai asiston. Mbape ka dhuruar për të gjithë fëmijët syze dhe ka bërë edhe pak humor në një intervistë për ‘Le Parisien’: “Ndoshta i dhuroj një palë edhe Dembele, që ta ndihmojnë të shënojë gola”.

Një shenjë humori pas takimit në Port-Marly, në Paris, të organizuar nga fondacioni ‘OneSight’, i lidhur me një nga sponsorët e lojtarit. Njëmijë fëmijeve të pranishëm u janë dhuruar syze shikimi dhe dielli për vitin shkollor.

“Është nga ato evente, - ka thënë Mbape për ‘Parisien’, – që më jep kënaqësi. Fëmijëve dua t’u jap gjithçka nga vetja, edhe pse më vënën në presion. Kur të shikojnë më aq admirim, them me vete se nuk duhet t’i zhgënjej.

Kjo më ndihmon të jem gjithmonë më ekzigjent. Është normale të jesh një shembull, por duhet të mësojnë nga gabimet dhe sukseset e mia. Shembulli më i mirë nuk është i lidhur domosdoshmërisht me suksesin. Jeta e vërteta është me gjëra të bukura dhe të tjera jo të bukura”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë