Futboll

Starti më i keq në 60 vjet për Mançester Junajtid, të gjithë duan ‘kokën’ e Ten Hag

Gazeta Si – Kjo është nisja më e keqe e kampionatit nga Mançester Junajtid në 60 vjet. ‘Djajtë e kuq’ kanë humbur 5 nga 10 ndeshjet e luajtura në ‘Old Trafford’.

Në Angli ka një çështje Mançester Junajtid. Klubi i madh është në kaos total, të mërkurën u eliminua edhe nga ‘Carabao Cup’, pas një humbjeje turpëruese 0-3 në ‘Old Trafford’ nga Njukasëlli. Humbja e dytë radhazi pas asaj në derbin me Sitin.

Në 15 ndeshjet e para sezonale kjo skuadër koleksionon 8 humbje dhe ky është starti më i keq që prej sezonit 1962-63. Po ashtu, ka humbur 5 nga 10 ndeshjet e luajtura në shtëpi dhe kjo nuk ndodhte që prej sezonit 1930-31.

Shtypi dhe opinioni sportiv britanik kanë shpërthyer dhe kërkojnë ‘kokën’ e trajnerit Erik Ten Hag. Shkarkimi i tij në fakt do t’i kushtonte shumë Mançester Junajtid, plot 17 milionë euro, prandaj dhe drejtuesit e klubit nuk duan të nxitohen.

Vendi i 8-të në kampionat, 11 pikë larg Totenhemit kryeues, 3 pikë në 3 ndeshje në Champions dhe jashtë ‘Carabao Cup’. Sezoni sapo ka nisur dhe objektivat e Junajtid janë kompromentuar me dështimin e radhës. Në bankën e të akuzuarve është Ten Hag, që nuk ka më mbështetjen e pakushtëzuar të klubit dhe senatorëve. Administrimi i hekurt i tij i grupit të lojtarëve nuk i pëlqen më askujt.

Tifozët, prej vitesh të pakënaqur me pronarët Glazers, nuk kanë më besim. Titulli i fundit që ka fituar skuadra i takon vitit 2013, në kohën e Sir Aleks Ferguson. Pastaj vetëm thërrime me trofe të vegjël, shumë pak për një klub të mësuar të dominojë në Angli dhe Europë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë