Futboll

Turpërohet Bajern Mynih, eliminim i bujshëm nga një skuadër e ligës së tretë

Gazeta Si - Nojer me shokë janë përmbysur nga Sarbryken, pas avantazhit të Tomas Myler. Goli i pësuar në minutën e 96-të vendosi rezultatin në 2-1, duke bërë që bavarezët të dalin nga Kupa e Gjermanisë që në turin e dytë të saj.

Vazhdon raporti i hidhur i Tomas Tuhel me Kupën e Gjermanisë. Vitin e kaluar Bajerni u eliminua në çerekfinale, pak ditë pasi trajneri ishte ulur në stolin bavarez. Tani eliminohet që në 1/16-at dhe nga një skuadër e Ligës 3.

Nuk imagjinohej që Bajerni të dilte nga skena që në turin e dytë të DFB-Pokal, Kupa e Gjermanisë. Në fushë ishte një Bajern eksperimental, me Tel dhe talentin Kratzig mes titullarëve. Të besuarit e Tuhel humbën 2-1 ndaj Sarbryken, një skuadër e ligës së 3-të, ku mban vendin e 15-të dhe lufton për mbijetesë.

Tomas Myler shënoi golin e avantazhit për Bajernin. Pas 3 minutash u dëmtua de Ligt dhe në fushë u fut Laimer në mbrojtje. Në minutën e 46-të Sontheimer barazoi shifrat. Në pjesën e dytë, futja e Musialas, Gnabrit dhe Komanit nuk e çoi Bajernin te fitorja dhe në minutën e 6-të shtesë erdhi goditja fatale.

Marcel Gaus, mbrojtësi i krahut të Sarbryken, 34 vjeç, realizoi golin e fitores dhe eliminoi Bajernin, që turpërohet kështu, edhe pse kishte 75% të kontrollit të topit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë