Futboll

Partizani feston sërish në shtesë, për Tiranën mendon gjithmonë Florent Hasani

Gazeta Si – Fati është me Partizanin këto javë. Për herë të katërt radhazi, të kuqtë e kanë shënuar golin e fitores në kohën shtesë. Sot ishte radha e Laçit të provonte shijen e humbjes 0-1 në sekondat e fundit përballë kampionëve në fuqi.

Një goditje me kokë e Gjelbërim Taipit në minutën e 94-t i dhuroi fitoren Partizanit, që barazon kështu Egnatian kryesuese në kuotën e 23 pikëve, por kryeqytetasit kanë edhe ‘bonusin’ e ndeshjes së prapambetur me Teutën.

Edhe durrsakët luajtën sot ndeshjen e javës së 11-të me Tiranën në ‘Selman Stërmasi’. Tirana fitoi 2-0, falë dygolëshit të Florent Hasanit, lojtarit që po shënon rregullisht për bardheblutë. Sulmuesi zhbllokoi shifrat që në fillim të ndeshjes, ndërsa në fund dyfishoi me penallti.

Një fitore kjo që largon krizën te Tirana dhe e ngjit atë në vend të 3-të, në kuotën e 17 pikëve, duke përfituar edhe nga humbja e Laçit.

Java e 11-të e Superiores është mbyllur me duelin mes Vllaznisë dhe Erzenit, që përfundoi në barazim 1-1. Bekim Balaj shënoi me penallti për Vllazninë, ndërsa një autogol i portierit Qarri barazoi shifrat. Trajneri i ri i shkodranëve, Qatip Osmani, debutoi me 1 pikë në stolin kuqeblu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë