Futboll

Botërori i 2034-s në Arabi, luhet përsëri në dimër! Infantino: Futbolli është global

Gazeta Si – Pas ‘Katar 2022’, do të ketë, siç ka konfirmuar edhe presidenti i FIFA-s Xhani Infantino, një tjetër Botëror që do të luhet në dimër. Pasi Australia tërhoqi kandidaturën për organizimin e Kupës së Botës në 2034-ën, në garë mbeti vetëm Arabia Saudite.

Në vendin më të madh arab të Azisë temperaturat në verë janë njësoj si në Katar (mbi 40 gradë), kështu që për të mirën e futbollistëve, alternativa e vetme është që të luhet mes nëntorit dhe dhjetorit, siç ndodhi në 2022-shin. Një problem ky për federatat, që duhet të sistemojnë kalendarin për sezonin 2034-35.

Arabët e pasur gjatë verës kanë nisur të marrin kampionë europianë, amerikano-jugorë dhe afrikanë për të rritur nivelin e futbollit. Stolin e kombëtares ia kanë besuar italianit Roberto Mançini.
Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, e ka zyrtarizuar organizimin e Kupës së Botës 2034 në Arabinë Saudite me një postim në Instagram, ku shkruan:

“Spektakli më i madh në tokë do të organizohet nga Kanadaja, Meksika dhe SHBA-të në 2026-ën, në Amerikën e Veriut. Dy edicionet e ardhshme të Kupës së Botës do të organizohen në Afrikë (Marok) dhe Europë (Portugalia dhe Spanja), - me 3 ndeshje që do luhen në Amerikën e Jugut (Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai) në 2030-ën dhe Azi (Arabia Saudite) në 2034-ën.

Tre edicione, pesë kontinente dhe dhjetë vende të përfshira në ndeshjet e turneut. Kjo e bën futbollin vërtet global. Faleminderit të gjithëve atyre që kanë marrë pjesë në këtë shkëmbim pozitiv. Futbolli bashkon botën si asnjë sport tjetër dhe Kupa e Botës është vitrina perfektë për një mesazh uniteti.

Ky turne tregon se si kultura të ndryshme mund të qëndrojnë bashkë dhe si të mësojnë të sillen më mirë. Duke jetuar në një botë gjithmonë e më të ndarë dhe agresive, tregojmë sërish se futbolli, sporti lider në botë, bashkon si asgjë tjetër. Kemi të gjithë nevojë për këtë unitet".

Vendimi me siguri do të sjellë edhe polemika për faktin se në Arabinë Saudite nuk respektohet të drejtat e njeriut, siç është denoncuar nga organizata të ndryshme humanitare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë