Futboll

Lionel Mesi fiton ‘Topin e Artë’ 2023, trofeu i 8-të për yllin argjentinas

Gazeta Si – ‘Topi i Artë’ 2023 i takon Leo Mesit. Ashtu siç pritej, argjentinasi ka fituar për herë të 8-të trofeun, pasi udhëhoqi kombëtaren e vendit të tij në fitimin e Botërorit të Katarit. Këtë herë trofeun Mesi e ka marrë nga duart e Devid Bekham, pronari i Inter Majemit, ku luan sulmuesi.

Pas Mesit janë renditur Haland i Mançester Sitit, fitues i tripletës, dhe Mbape i PSG-së. Ceremonia e dhënies së çmimit prestigjioz u organizua sot në Paris, ku klasifikimi u zbulua pak e nga pak nga ‘France Football’.

Aitana Bonmati fitoi ‘Topin e Artë’ për femra. Mesfushorja e Barcelonës dhe Spanjës ishte një nga lojtaret kryesore të skuadrës iberike, e shpallur kampione bote.

Emiliano Martinez ka fituar trofeun ‘Jashin’, që akordohet për portierin më të mirë. Ai ishte një nga protagonistët kryesorë të Botërorit të Katarit me Argjentinën.

Një tjetër çmim, ‘Kopa’, që jepet për lojtarin më të mirë nën 21 vjeç, është fituar nga Xhud Belingham, ashtu siç edhe pritej. Ylli i Real Madridit, sezonin e kaluar me fanellën e Borusia Dortmund, mundi Musialan e Bajern Mynih dhe Pedrin e Barcelonës.

Erling Haland fitoi çmimin ‘Gerd Myler’, që akordohet për sulmuesin më të mirë. Norvegjezi e ka ka fituar këtë çmim për golat e fituar me fanellën e Mançester Sitit. Vinicius i Real Madrid fitoi çmimin ‘Sokrates’.

Mançester Siti ka fituar çmimin e klubit më të mirë, falë tripletës që fitoi sezonin e kaluar, që kulmoi me fitimin për herë të parë në histori të Ligës së Kampionëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë