Futboll

Durimi shpërblehet, Asllani po rrit kreditet e tij në sytë e trajnerit Inzagi

Gazeta Si – Si në shumë ndeshje, edhe ndaj Romës Kristjan Asllani mori minutat e tij, edhe pse të pakta. Ai u fut në fushë në minutën e 75-të, pra çerek ore lojë plus shtesat, por ka mjaftuar që mesfushori i Kombëtares shqiptare të marrë vlerësime pozitive.

Trajneri Simone Inzagi ka folur me superlativa për lojtarin elbasanas. “Një profesionist i vërtetë, po i fiton minutat e tij dhe e vlerësoj shumë”, - tha trajneri i Interit për Asllanin, i cili mori pjesë në aksionin e golit të fitores ndaj Romës.

Vërtet një profesionist. Asllani është treguar shumë i duruar dhe i matur edhe kur i ka munguar aktivizimi, kur nuk ka luajtur asnjë sekondë në ndeshje të caktuara. Durimi gjithmonë shpërblehet, ai ka punuar mirë dhe siç pohoi vetë trajneri Inzagi, ia ka rritur kreditet vetes.

Nga deklarata e fundit e trajnerit zikaltër mund të bien poshtë hipotezat e një largimi të mundshëm të futbollistit në merkaton e janarit. Asllani është gati në çdo moment të zëvendësojë Çalhanoglu dhe të thotë fjalën e tij me fanellën e Interit.

Në Kombëtaren kuqezi mesfushori është një titullar fiks. Trajneri Silvinjo patjetër vlerëson aftësitë e tij tekniko-taktike, por edhe personalitetin që tregon në fushë. Gradualisht Asllani po bëhet një lojtar më i rëndësishëm për klubin e tij dhe për Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë