Gazeta Si – Vlen më shumë Botërori i Mesit me Argjentinën, apo tripleta e Haland me Mançester Sitin? Përgjigja e kësaj pyetjeje vlen për të mësuar edhe fituesin e ‘Topit të Artë’ për vitin 2023, që do të shpallet sot në mbrëmje.
Lionel Mesi është favorit ndaj sulmuesit norvegjez për trofeun prestigjioz individual, që do ta fitonte për herë të 8-të në karrierë. Fituesi do të shpallet mbrëmjen e sotme në Paris nga ‘France Football’, por prej kohësh flitet se argjentinasi e ka fituar trofeun. Janë 30 lojtarë në listën e kandidatëve dhe për herë të parë pas 19 vitesh mungon emri i Kristiano Ronaldos.
Mesi, 36-vjeçar, ishte lider absolut i Argjentinës në fitimin e Kupës së Botës në dhjetor. Përveç Haland, një tjetër lojtar i Mançester Sitit është rival kryesor me Mesin, mesfushori Kevin De Bryjne. Nga skuadra e Guardiolës, në listën me 30 emra bëjnë pjesë edhe Ruben Diaz, Alvarez, Bernardo Silva, Rodri dhe Gyndogan, ky i fundit te Barcelona tashmë.
Për trofeun ‘Kopa’, që akordohet për lojtarit më të mirë nën 21 vjeç, kandidat absolut është mesfushori anglez i Real Madrid, Xhud Belingham, i cili sapo vendosi ‘El Clasico’-n me një dopietë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.