Drejtësia

Dëshmitarët e ‘Gërdecit’ në seancën ndaj Mediut, ish-ushtaraku: Baruti ishte me tonelata. Pati tym të bardhë para shpërthimit

Gazeta Si - Ish-ushtaraku Zabit Cuku, i cili punonte në fabrikën e demontimit të armëve, ka dëshmuar në procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në lidhje me dosjen “Gërdeci’.

Cuku ka deklaruar se ditën e shpërthimit, pa fillimisht tym të bardhë, që sipas tij vinte nga djegia e barutit.

Ai tha se në vendin e punës, kishte zjarrfikëse që përdoreshin për fikjen e zjarrit. Si ish-ushtarak në rezervë, shtoi se kishte punuar për gati një muaj në Gërdec, si specialist demontimi.

"Na ftoi Sokol Ngjeci për demontim. Na organizoi një takim me Delijorgjin. Ne do ishim si skuadra e sigurimit teknik. Unë kisha 6-8 veta nën mbikëqyrje", tha dëshmitari.

Sipas Cukut, për punën në Gërdec ai nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë. "Rregullore me gojë për punën pati, por jo me shkrim".

Në lidhje me ditën e ngjarjes, dëshmitari tha se kishte dëgjuar një zë gruaje që thoshte "mori flakë" dhe gati 20-30 metër larg kishte parë tym të bardhë, që e kishte njohur si tym baruti.

“U kërkova punëtorëve të iknin shpejt. U larguam për rreth 350 metra. Nga shpërthimi i dytë më ra një copë predhe në kokë, si edhe kam thyer këmbën", tha dëshmitari.

Për shkakun e shpërthimit, Çuka tha se pas ngjarjes kishte dëgjuar se ishte shkaktuar nga ndezja e barutit në karrocën e sapo salduar.

“Në 12 pa ca kam dëgjuar një grua që të bërtas ik me vrap se zjarr. Kam parë tym të bardhë si ai i barutit. Më pas kam marrë punëtorët e mi dhe kam ikur me vrap. Më pas unë jam dëmtuar nga shpërthimi i dytë, më ka kapur në kokë një copë predhe dhe kam thyer këmbën.  Në Gërdec janë demontuar predha nga 12.7 deri në 152 mm. Për predhat 100mm ishte krijuar një vend i posaçëm me mure betoni me vrima ku bëhej çmontimi i tyre pasi janë specifike”, - vijoi ai.

Këtë të premte ka dëshmuar edhe Caje Çiku, ish punëtore në fabrikën e Gërdecit.

“Isha e punësuar nga qershori 2007 deri në 2008 tek sektori i fishekëve  dhe më pas kam kaluar brenda tek larja e predhave brenda në magazinë. Nuk kishim kontrata pune dhe nuk na kërkuan  asnjë dokument. Atë ditë isha brenda dhe ka qenë orari i drekës. Kemi parë zjarrin qe ka rënë jashtë godinës dhe kemi ikur me vrap deri në Fushë Prezë. Materialet janë transportuar me karroca, kemi dëgjuar që janë salduar karrocat, por unë nuk e di”, - shpjegoi Çiku.

15 vite pas shpërthimit të punishtes së demontimit të armëve në Gërdec, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim me kuadrin ushtarak komandues.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë