Drejtësia

Dosja ‘Gërdeci’, Fatmir Mediu në GJKKO për herë të parë për seancat e dëshmive

Gazeta Si - Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është paraqitur paraditen e kësaj të enjteje në seancën e radhës së dëshmitarëve që do të zhvillohet për dosjen "Gërdeci".

Ai shoqërohej nga avokatët e tij dhe kjo është hera e parë e Mediut që paraqitet në seancat ndaj tij, që prej nisjes së procesit në GJKKO.

Ai është vendosur nën akuzë nga SPAK për çështjen “Gërdeci”, ku nga shpërthimi i ndodhur në fabrikën e municioneve atje, humbën jetën 26 persona në vitin 2008.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre si edhe për shpërdorim të detyrës të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak.

Ka dyshime se Mediu në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe persona të tjerë, ka nxjerrë akte nën ligjore në kundërshtim me ligjin.

Në shtator, Mediu kërkoi gjykim të zakonshëm për çështjen, duke hequr dorë nga gjykimi i shkurtuar, çka do të thotë se për "Gërdecin" do të niste një gjyq në themel.

Gjykata nuk ka pranuar listën e dëshmitarëve që u paraqitën nga avokatët e Mediut, por vetëm dëshmitarët e Prokurorisë.

GJKKO ka pranuar që të thërrasë në total 71 dëshmitarët e SPAK mes tyre dhe djali i ish kryeministrit, Shkëlzen Berisha si dhe një numër të madh të dëshmitarëve të palës mbrojtjëse.

Me nismë të Zamira Durdës dhe familjarëve të tjerë që humbën të afërmit e tyre në shpërthimin e Gërdecit, SPAK rihapi hetimet për çështjen dhe akuzon Fatmir Mediun për “Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues për shpërthimin në "fabrikën" e demontimit të armëve ku u vranë 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë në 2008.

Pak ditë më parë, Gjykata e Strasburgut, pranoi padinë e familjarëve të viktimave të Gërdecit për ngjarjen tragjike të ndodhur para 15 vitesh dhe që është marrë në dorë nga SPAK.

Sipas vendimit, që ishte në favor të familjeve të prekura, theksohet se gjatë procesit ka pasur shkelje procedurale dhe Gjykata kërkoi dëmshpërblim prej 12 mijë eurosh për Zamira dhe Feruzan Durdajn, familjen e një prej 26 viktimave të tragjedisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë