Politike

S’ka një deklaratë zyrtare prej tij, por Basha i përcjell mesazhet indirekt për Berishën: Mbështes SPAK, kush vodhi shqiptarët t’i kthejë paratë

Nga Gazeta Si – Ish-bashkëpunëtori i tij më i ngushtë për gati dy dekada, Lulzim Basha, (por me rrugë të ndara tashmë) nuk ka folur ende për masën e sigurisë vendosur ndaj Sali Berishës për korrupsion pasiv.

Aktualisht kryetar i një partie që pretendon të jetë me e madhja në opozitë, Basha nuk ka përcjellë asnjë qëndrim zyrtar duke preferuar që mesazhet e tij t’i përcjellë në mënyrë indirekte kryesisht në takime me të huajt.

E tille ishte edhe ajo e zhvilluar me Zëvendës Presidentin e Institutit Republikan Ndërkombëtar, Scott Mastic, ku ndër radhë Basha i shprehu mbështetjen për SPAK dhe kthimin e parave të vjedhura shqiptarëve.

“Korrupsioni është pengesa më e madhe për zhvillimin e vendit dhe krijimit të mundësive për të rinjtë, për të ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri. Në këtë kuadër theksova mbështetjen e Partisë Demokratike për SPAK-un dhe angazhimin përmes nismave ligjore në parlament për të kontribuar në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet më të larta. Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë duhet t’u kthehen shqiptarëve…”, thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së zyrtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë