‘Nuk është një beteje kundër Sali Berishës por reformave të qeverisjes së PD’. Kështu e paraqiti Sali Berisha situatën gjyqësore ndaj tij në mbledhjen e kryesisë së PD.
“Pse unë e quaj këtë një proces politik të shekullit? Edhe Putini ka dënuar opozitarë. Edhe Lukashenko dënon opozitarë. Po ky jo, prisni, është ndryshe. Këtu Edi Rama me dy-tre larot e tij, merr përsipër të bëjë gjyqin e reformave që transformuan këtë vend.
Kurrë Shqipëria nuk ka njohur ndonjëherë reforma më transformuese si ato të vitit 2005-2009.
Të gjithë ju që keni pasur mundësi të lexoni dacibaon e Edi Ramës, konstatoni se ajo është e denjë absolutisht vetëm për zyrat e Sigurimit të Shtetit, të gjykatave të popullit të diktaturës, ose të zyrave të Gestapos.
Jashtë çdo lloj imagjinate, që të shkruhen qindra faqe për të përdorur reformat për të akuzuar armikun. Reformat nga të cilat kanë përfituar qindra-mijëra shqiptarë. Qindra-mijëra shqiptarë!
Në një akt me të cilin, dëshmon fytyrën e tij të vërtetë.
Por, që unë kam besim që motivon sot më shumë se kurrë çdo demokrat.
Nuk është këtu çështje e sulmit ndaj Sali Berishës, çështja themelore është se Edi Rama me dy-tre vrasës me pagesë të reformave, kërkon t’i përdorë ato kundër autorit të tyre. Të gjitha janë vendime kolektive, të gjitha ligje parlamenti. Kërkon të nxjerrë jashtë funksionit, të delegjitimojë parlamentin si ligjvënës. Qeverinë si ligjzbatuese dhe hartuese ligjesh dhe vendime”, tha Berisha në mbledhjen e kryesisë së PD.
Sipas tij, kjo është një situatë për mobilizim të strukturave.
“Është një kushtrim për një mobilizim të plotë dhe total të të gjithë atyre që besojnë se demokracia në Shqipëri duhet të ndërtohet me ideale dhe jo me botën e korrupsionit dhe krimit.
Është një kushtrim për të gjithë ata që duan t’i dalin zot vullnetit të tyre, që të mos përdoren si kavie në ditën e votimit, siç jemi përdorur 46 vite nga diktatura.
Është një kushtrim për çdo shqiptar, duhet të kujtohet të zgjedhë mes Shqipërisë apo apatisë? Të zgjedhë mes kombit dhe flamurit, apo nënshtrimit dhe poshtërimit?
Çfarë synohet me këtë? Një komb pa opozitë është një komb pa shpirt. Një komb që nuk e meriton të quhet komb.

Lidhur me këtë, kujtoni vetëm qëndrimin e tij ndaj Kosovës. Po i shkopisim nga konteksti i demokracisë shqiptare.
Ka 8 vite me egërsinë më të madhe përdor pushtetin e shqiptarëve kundër shqiptarëve.
Ne nuk jemi apatridë, jemi burra dhe gra që e duam këtë vend. Sa janë ata që e duan? Unë them se janë shumë. Ne nuk mund të pajtohemi më me këtë situatë.
Nuk mund të pajtohemi me një Vuçiç të dytë në Tiranë. Nuk mund të pajtohemi me një Pashiq të dytë në Tiranë.
Ne jemi parti e interesit kombëtar. Përndryshe më mirë të mos jemi. Në momentin që nuk do jemi dalëzotës të interesit të kombit, më mirë të mos ekzistojmë.
Kjo është historia, ditën e themelimit të saj, shkruhet se PD do jetë parti e interesit kombëtar. Sepse Partia e Punës kishte qenë për 46 vite, parti kundër interesit kombëtar. Kishte shkelmuar me akte, me traktate, me marrëveshja, me çdo gjë interesat, gjer në sovranitetin e Shqipërisë, që donte të në bashkonte me Jugosllavinë”, tha ai.
Më tej ai shtoi: “Tani është koha për betejë! Tani është koha të ngrihemi!
Tani është koha që cilido që mendon dhe beson se duhet të luftojë për demokracinë në këtë vend, për dinjitetin në këtë vend, se pa demokraci nuk ka dinjitet. Kurrë! Ne duhet të ngrihemi!
Ne nuk mund të pranojmë… ne e nisëm këtë, askush të mos e lidhë më këtë që ndodhi. Kjo që ndodhi është dëshmi e radhës e atyre faktorëve që na detyruan të shpallim betejën pa kthim. Beteja pa kthim duhet të organizohet. Beteja pa kthim kërkon sakrifica nga çdo demokrat. Unë jam i bindur se problemet me të cilat përballen demokratët, janë shumë të dhimbshme, janë shumë të thella, janë shumë të mëdha. Por zgjidhje tjetër nuk ka përveç mobilizimit, përveç ngritjes në këmbë, përveç betejës! Përndryshe, sa më shumë të zvarritet, aq më e thellë bëhet kriza. Aq më dëshpëruese bëhet situata”.
“Ndaj dhe mesazhi im është ky sot: mesazhi im është të bëjmë gjithçka, të shpërndahemi në mbarë vendin në një dialog, në një emergjencë. Thashë edhe njëherë ky është kapitulli i fundit dhe këta nuk kanë fund fare se ky nuk ndalet në betejën e asgjësimit të opozitës.
Por edhe opozita nuk do ndalet kurrë në rezistencën e saj me të gjitha format për të mbrojtur demokracinë dhe interesin kombëtar.
Nuk ndodh kurrë në botë që të përdoret një samit kundër gjysmës tjetër të kombit. Që të përdoret një vizitë shtetërore për të kërkuar anulimin e vizave për gjysmën tjetër të kombit.
Nuk ka kurrë tradhtar të tillë që i lejojnë vetes qëndrime të tilla si Edi Rama.
Ne nuk mund të rrimë më duarkryq. Kjo situatë kërkon përgjigje, besoj se biem dakord.
Ndaj të shpërndahemi në një takim me bazën tonë, me këtë thirrje: Ne duhet të fillojmë betejën, parlamentarët e kanë filluar betejën. Ata do qëndrojnë në parlament, nuk e braktisin parlamentin, por do qëndrojnë aty gjer në rikthimin e të drejtave të plota të tyre.
Kurse PD do qëndrojë gjersa shqiptarët të votojnë të lirë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




