Futboll

Trajektorja vetëm në rritje e Mario Mitajt, mbrojtësi kuqezi u mbyll gojën edhe rusëve

Gazeta Si – Mario Mitaj, djaloshi i lindur në Athinë dhe i rritur sportivisht tek AEK-u, është një nga gjetjet e trajnerit të Kombëtares, Silvinjo. Nuk është një zbulim, sepse mbrojtësi i majtë aty ishte, pjesë e Shpresave, por trajneri brazilian është ai që besoi te 20-vjeçari.

Dhe ka pasur të drejtë, rezultati në fushë ka qenë impresionues. Mitaj ka qenë një pikë kyçe e formacionit kuqezi në këto eliminatore të Euro 2024, ku Shqipëria e ka kualifikimin në ‘xhep’, madje pa frikë mund të quhet i pazëvendësueshëm për momentin. Asnjë lojtar tjetër në atë rol nuk mund të bëjë atë që po bën Mitaj.

Mitaj me çmimin e ‘Lojtarit te ndeshjes’ ne Rusi. Gazeta Si, 22 tetor 2023

Rritja futbollistike e anësorit të majtë është vërtet befasuese. Nga ndeshja në ndeshje ai e ka rritur nivelin, duke bërë gjithmonë e më pak gabime, falë besimit më të madh që ka fituar në vetvete. Është vetëm 20 vjeç dhe me këtë ritëm transferimi i lojtarit në një top klub është vetëm çështje kohe.

Mitaj sa fundi ka bindur edhe skeptikët në Rusi, ku ka pasur shumë kritika për blerjen e tij nga Lokomotiva e Moskës. Në ndeshjen e fundit të kampionatit, barazimin 0-0 në derbin me Dinamon e Moskës, fubollisti shqiptar u shpall ‘Lojtari më i mirë’. Për më tepër nuk luajti në rolin e tij natyral, por në atë të mesfushorit të qendrës.

Një tjetër hap përpara për djaloshin me orgjinë nga Vermoshi. Ai, me qetësinë e tij, vazhdon të ngjitë shkallët në futbollin prfosionist, duke njohur vetëm rritje. Është pa dyshim një nga elementët më premtues të Kombëtares shqiptare dhe kjo falë besimit që i ka dhënë Silvinjo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë