Gazeta Si – Një lajm i trishtë ka ardhur sot nga Anglia. Ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare Sir Bobi Çarlton, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit britanik dhe atij botëror.

Çarlton, ndër futbollistët më të fortë anglezë, u bë legjendë me fanellën e Mançester Junajtid. Ai ka shënuar 249 gola në 758 ndeshje me ‘Djajtë e kuq’ dhe ka fituar 9 trofe: 3 tituj kampion, 1 Kupë Anglie, 4 ‘Charity Shield’ dhe 1 Kupë Kampionësh.
Ka luajtur gjithashtu edhe me Preston dhe Uaterford Junajtid. Me kombëtaren angleze Bobi Çarlton numëron 106 ndeshje dhe 49 gola. U shpall kampion bote në Botërorin e 1966-ës, kur fitoi edhe ‘Topin e Artë’. Është nominuar ‘kavalier’ nga Mbretëresha Elisabeta II në vitin 1994.

Ish-kampioni i botës ka pasur një betejë të gjatë me demencën. Ai ndërroi jetë pranë familjes paraditen e sotme, duke lënë pas bashkëshorten Lady Norma dhe dy vajzat Suzan dhe Andrea. Pas vdekjes së tij, Sir Geoff Hurst, autor i tripletës në fitoren 4-2 të Anglisë Gjermanisë Perëndimore në ‘Wembley’, është i vetmi pjesëtar i skuadrës kampione bote të 1966-ës që jeton.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




